Një roje i një lokali në Orikum të Vlorës ka përfunduar në pranga pasi nuk ka denoncuar në Polici vjedhjen e një gomoneje.

Burime zyrtare nga blutë e Vlorës bëjnë me dije së i arrestuar është Skënder Kongjoni, 57 vjeç, banues në Orikum. Vjedhja e mjetit lundrues ka ndodhur rreth orës 3 të mëngjesit të djeshëm , ku si edhe pse dihet se kanë qenë tre persona që e kanë vjedhur gomonen, ende nuk janë identifikuar.

Njoftimi i policisë:
Arrestohet në flagrancë roja i një lokali për mos kallzim krimi, pasi nuk denoncoi në Polici vjedhjen e një mjeti lundrues gomone në Orikum ! Efektivët e Stacionit Policor Orikum kanë arrestuar në flagrancë shtetasin :
Skender Kongjoni, 57 vjeç, banues në Orikum.

Shtetasi i mësipërm akuzohet për veprën penale të mos kallëzimit të krimit pasi dyshohet se ka qënë i pranishëm dhe ka parë personat që kanë vjedhur mjetin lundrues tip gomone në pronësi të shtetasit A.K., me vendbazim të deklaruar pranë lokal Orikut-Orikum. Vjedhje e mjetit lundrues është kryer më datë 06.10.2017 rreth ores 03:00, nga tre shtetas ende të paidentifikuar në vendbazimin e saj pranë lokal Oriku ku Skender Kongjoni shërbente si roje. Ky shtetas në asnjë moment nuk e ka kallëzuar kryerjen e këtij krimi në organet e ndjekjes penale ose ne organet e rendit publik.

Policia po vijon punën për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje si dhe hetimin e të gjitha pistave të mundshme për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Materialet iu referuan Prokurorisë për veprat penale ''Vjedhja'' dhe ''Mos kallëzim krimi'', të parashikuar nga nenet 134 dhe 300 te Kodit Penal. 

Redaksia online
D.T/Shqiptarja.com