Një turiste finlandeze, 52 vjeçe, ka humbur jetën paraditen e së hënës në Vlorë, në rrethana ende të paqarta. Nga të dhënat paraprake mësohet se turistja, ndodhej në shoqërinë e disa personave të tjerë, duke eksploruar në plazhin e Radhimës.
Dyshohet se gjatë zhytjes ajo ka hasur probleme me furnizimin me oksigjen. Dy personat që e shoqëronin e kanë nxjerrë në sipërfaqe dhe më pas kanë kërkuar ndihmën e skafistit Anton Binaj.
Ky i fundit e ka transportuar deri në molin e Njësisë Delta Force të Policisë së Vlorës. Më pas, në gjendje të rëndë, turistja është transportuar me autoambulancë në spital, por nuk ka mundur t'u mbijetojë plagëve apo komplikacioneve.
“Rreth orës 11:00, shërbimet e Policisë Kufitare u njoftuan se rreth 1 milje larg bregut, në plazhin e Radhimës, një shtetase e huaj ndodhej në gjendje të rënduar shëndetësore në një mjet lundrues.
Shërbimet e Policisë lokalizuan mjetin lundrues, në bordin e të cilit ndodheshin 14 persona, mes tyre edhe një shtetase finlandeze, 52 vjeçe. Ajo u transportua me urgjencë në breg, ku personeli mjekësor konstatoi se kishte humbur jetën”, njoftoi Policia.
Policia po merr dëshmitë e skafistit dhe të dy personave që e shoqëronin, me qëllim zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes tragjike.
Komente








