/ATSH-Harilla Koçi/.-Të shtunën në qytetin e Vlorës u zhvilluan ceremonitë në nderim të kujtimit të viktimave të tragjedisë që ndodhi 18 vjet më parë, në hapësirën detare të Otrantos.
Familjarë, të afërm të viktimave, si dhe qytetarë, hodhën lule në det, në një prej kalatave të portit të Vlorës, ku në orën 15.00 të datës 28 mars 1997 u nis anija e tragjedisë.
Gjithashtu, u zhvilluan homazhe dhe u vendosën tufa me lule edhe në memorialin e ngritur në kujtim të viktimave në parcelën e veçantë ku prehen trupat e tyre, në varrezat publike të qytetit të Vlorës.
 Të pranishmit shprehën edhe një herë dhimbjen për këtë tragjedi që mori dhjetra jetë njerëzish, për të cilët thanë se nuk do t'i harrojnë kurrë. Pushime Çala, kryetare e Shoqatës së Familjarëve të Viktimave të Otrantos, tha se, "çdo ngjarje e ka edhe një fajtor, aq më tepër një tragjedi e përmasave të tilla sikundër ajo e Otrantos, shkaktarët e të cilës nuk janë gjetur ende". "Ne theksojmë edhe një herë dhe kërkojmë drejtësinë e munguar", nënvizoi Çala.
Natën e 28 marsit të vitit 1997, gjatë udhëtimit për në Itali me anijen "Kateri i Radës", humbën jetën 81 persona, mes të cilëve 46 gra e fëmijë, nga 115 persona që ndodheshin në bordin e mjetit lundrues. Tragjedia erdhi pas përplasjes me anijen ushtarake italiane "Sibila".
Pak muaj pas kësaj ngjarjeje, 57 prej trupave u nxorrën nga deti bashkë me anijen, ndërkohë që 24 të tjerë nuk u gjendën. Në 14 nëntor të vitit 1997, në qytetin e Vlorës u zhvillua ceremonia e varrimit të trupave të viktimave të kësaj tragjedie.
Tragjedia e Otrantos cilësohet ndër më të rëndat që kanë ndodhur në këtë hapësirë detare në shekullin e kaluar.