Mbi 150 familje në zonën e ish-fabrikës së çimentos në Vlorë vijojnë të jetojnë në kushte të rënda infrastrukturore. Rruga që kalon pranë banesave të tyre, një segment rreth 500 metra i gjatë, nuk ka njohur asnjë investim prej më shumë se 30 vitesh. Kalimi i automjeteve, por edhe i vetë banorëve, bëhet me shumë vështirësi, për shkak të degradimit të skajshëm të rrugës.
“Kjo rrugë është që nga sistemi i vjetër. Ka qenë e asfaltuar, nga ndërhyrjet që janë bërë, është prishur. Ka 35 vite që është jofunksionale, bëjnë sikur e shtrojnë”, tha njëri prej banorëve.
Ndërkohë, vetëm pak metra më tutje, një rrugë paralele në të njëjtën zonë ka përfituar së fundmi investime të rëndësishme, çka i ka bërë banorët të ndihen të anashkaluar dhe të lënë pas dore. Ata thonë se ndërhyrjet e vetme ndër vite kanë qenë sporadike dhe kryesisht gjatë periudhave elektorale, ndërsa më pas askush nga deputetët apo përfaqësuesit e pushtetit vendor nuk është rikthyer për të parë situatën.
“Kanë bërë rrugën e re andej që është një kryetar komiteti, rrugën këtu nuk e kanë rregulluar. Nuk e njohim deputetin e zonës, nuk ka ardhur ndonjëherë”, thanë banorët.
“Kemi 30 vite me këtë rrugë me pellgje e me mbeturina. Ne jemi të deklasuar. Investimi i bërë këtu nuk na përfshin. Jemi 100 familje që na kanë lënë pas dore. Na vijnë për vota, ua japim votat”, thanë banorët.
Punimet e nisura në aksin tjetër pranë tyre kanë rënduar edhe më shumë gjendjen e rrugës, duke shtuar vështirësitë e përditshme. Banorët theksojnë se premtimet kanë qenë të shumta në gati tre dekada, por gjithçka ka mbetur vetëm në nivel fjalësh, ndërsa infrastruktura vazhdon të përkeqësohet dita-ditës.
Sipas tyre, shpresa për rikonstruksionin e këtij segmenti është zbehur pothuajse plotësisht, pasi mungesa e vëmendjes nga çdo qeverisje apo pushtet vendor ka qenë thuajse zero.
Komente







