Një tjetër zonë bregdetare mbi të cilën këtu e 20 vite më parë ishte pretenduar se do të shërbente për ndërtimin e një resorti, u kthye në përballjen e radhës së banorëve të zonës në mbrojtje të tokave që thonë se janë pronarë.

Mesditën e kësaj të diele, banorë të Nivicës e Shën Vasilit të Bashkisë Himarë, siç kishin paralajmëruar ishin mbledhur me qindra në protestë.

Të ardhur edhe nga jashtë vendit, protestuesit kanë shembur rrethimin që prej 22 vitesh mbante të izoluar një prej pasurive më të mëdha me bukuri natyrore në zone, teksa pre e zemërimit të tyre u bënë dhe disa godina të rojeve private.  

Kompania “Riviera” e cila aktualisht ka nën administrim territorin si për të shmangur përplasjet kishte tërhequr rojet e sigurisë, ndërsa dhe policia, e pakët në numër, nuk ndërhyri, një strategji e kohëve të fundit për të shmangur përplasjet.

Me thirrje kundër kompanisë që mban të rrethuar zonën prej vitesh ata kanë thëne se prona duhet tu rikthehet pronarëve sipas ndarjes që ishte bërë nga vetë shteti pas rënies së sistemit diktatorial.

"Nëse i ka të ligjshme të qe këtu, t’i ruante, por pse s’i ruan? Se i ka të paligjshme. Poshtë hajdutët e pronave!”

“Këtë vend të bukur do ta gëzojnë vajzat dhe djemtë tanë!”

“Do t’i thosha Ramës hajde këtu, rrëzoje vetë këtë mur, hiqe portën, lëri njerëzit të shkojnë te pronat e tyre në Kakome! Prona është e niviciotëve, plazhi i të gjithëve!”

Tetë ditë më parë banorët organizuan një tjetër protestë ku u tentua heqja e portës kryesore.

Dy ditë më parë kompania dhe punonjës të bashkisë Himarë hoqën portën kryesore dhe një pjesë të rrethimit me qëllim shmangien e protestës së paralajmëruar për këtë të diel, por kjo nuk ndikoi aspak në shmangien e shkatërrimit që ju bë rrethimit të kësaj zone dhe objekteve të tjera.

Beteja ligjore për Kakomenë zë fill prej vitit 2004, duke u shndërruar në një nga konfliktet më të gjata të pronësisë në vend. Edhe pse pretendentëve u është premtuar zgjidhje, kurrë nuk ka pasur një vendim përfundimtar për këtë çështje.

Janë rreth 29 mijë hektarë tokë, për të cilat proceset administrative dhe ligjore vijojnë prej më shumë se 20 vitesh.

Banorët e Nivicës dhe Shën Vasili kanë shprehur vendosmërinë se do të jenë sërish aty dhe do të vijojnë rezistencën deri në kthimin e pronës.