Vlorë, Rama çel zyrën e deputetit,
ja cilët janë tri fituesit e konkursit

Vlorë, Rama çel zyrën e deputetit,<br />ja cilët janë tri fituesit e konkursit
VLORE-  Tre të rinj nga Vlora do të administrojnë zyrën e deputetit Edi Rama në qytetin e Vlorës. Kryeministri i ardhshëm i ka prezantuar fituesit ndër 252 kandidatët, si "vlonjatët e shekullit të ri".  Ata janë: Arjola Sulaj, Alma Binaj dhe Bevis Shehaj.

Sipas PS-së, që të tre kandidatët fitues  janë shkolluar me rezultate të larta në universitete prestigjioze brenda dhe jashtë vendit, kanë eksperienca të mira pune dhe i janë përgjigjur më mirë, asaj ç'ka pritej nga stafi përzgjedhës i caktuar nga Rama.

RAMA: TRI VLONJATE TE VERTETE TE SHEKULLIT TE RI

Pas përzgjedhjes së tri bashkëpunëtorëve, Rama është shprehur se kjo praktikë do të kthehet në një model të bashkëjetesës mes deputetëve dhe zgjedhësve të tyre.  “Jam shumë i kënaqur që jam këtu më ju dhe që një konkurs me 252 kandidatë përfundoi me suksesin e një përzgjedhjeje të tillë, por edhe u zhvillua në respekt të plotë të të drejtës së gjithsecilit për t’u provuar,"- tha ai. 

"Kjo është filozofia e re që ne duam të jetësojmë përditë në qeverinë e krijuar nga vullneti i një populli të tërë për të ecur më shpejt drejt një rilindjeje shqiptare dhe njëkohësisht unë dua që kjo zyrë të kthehet në një model të bashkëjetesës mes deputetit apo deputetëve dhe zgjedhësve të tyre.

Është zyra e një deputeti, pavarësisht se unë jam kryeministri. Kjo zyrë nuk është një zyrë punësimi, në kuptimin që njerëzit të vijnë këtu dhe të marrin punë. Kjo zyrë nuk i mbivendoset as institucioneve të shtetit dhe as funksioneve që kanë drejtuesit apo strukturat e institucioneve të shtetit.

Është zyra ku çdo qytetar i Vlorës, i qytetit dhe i rrethit mund të vijë dhe të ndajë me ne shqetësime, të bëjë sugjerime, të sjellë ide, të shprehë çfarë dëshiron të na thotë lidhur me probleme të vendit, të qytetit, të fshatit, të komunitetit dhe ne kemi detyrimin ta dëgjojmë dhe me respektin më të madh t’i gjendemi pranë apo t’i japim asistencën e nevojshme, për t’a drejtuar aty ku duhet, ku është fjala për të zgjidhur probleme të caktuara.

Unë jam shumë besimplotë që ju do t’ja dilni mbanë, jam shumë i mbresuar nga formimi juaj, nga pasioni me të cilin flisni, nga ambicia që keni dhe në këtë aspekt jeni vlonjatë të vërtetë të shekullit të ri dhe jam ende më besimplotë sot, pasi u takuam që gjërat do të bëhen më mirë edhe falë jush”.

CILET JANE MENEXHERET E ZYRES SE RAMES NE VLORE

Ja sesi e kanë prezantuar vetveten, tri kandidatët fitues, para kryeministrit të ardhshëm të vendit me CV-të e tyre.

ARJOLA SULAJ - Lindur në Vlorë në 1982.
Ka mbaruar studimet e larta për Marrëdhënie Ndërkombëtare në Universitetin e Bolonjës.
Master në Politikë dhe Organizim të Administratës Publike po në Universitetin e Bolonjës, Itali.
Ka  punuar si përkthyese / interpretuese në fushën e çështjeve legale të migracionit
Përkthyese ligjore e gjuhëve të huaja, anglisht, italisht, spanjisht.


Sulaj shprehet: "Për mua është një eksperiencë e re pune. Jam e kënaqur për procesin e seleksionimit, sepse u zhvillua në mënyrë shumë të ndershme dhe shumë të rregullt mes shumë aplikantëve. Pati një seleksionim dhe një proces shumë të rregullt, megjithëse ishin shumë persona që aplikonin.

Unë kam mbaruar studimet në Bolonja të Italisë, në Universitetin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare. Kam bërë dhe një Master për Administrim të Qeverisjes. Kam punuar në prefekturën e Bolonjës në zyrën e nënshtetësisë, ku merresha me praktikat e të huajve që kërkonin nënshtetësinë italiane. Njëkohësisht kam bërë disa eksperienca pune si vullnetare për një qendër të të huajve dhe klandestinëve në Itali, ku kam punuar si përkthyese."

ALMA BINAJ - Lindur në Vlorë në vitin 1986, është kandidatja e dytë fituese dhe bashkëpunëtorja më e re e Ramës.
Binaj është diplomuar si “Menaxhere biznesi” dhe “Juriste” në Universitetin “Ismail Qemali” të Vlorës, me notën 10 në të dyja temat që ka mbrojtur për këtë dy degë.
Ka përfunduar masterin shkencor në Financë në Universitetin “Ismail Qemali”, në Fakultetin e Ekonomisë.
Ka kryer disa trainime pasuniversitare në këto fusha.
Ka mbrojtur gjuhën angleze. 

Binaj prezantohet: Fushat që unë kam zgjedhur për të studiuar, drejtësia dhe ekonomia janë dy sektorë kryesorë, në të cilët mendoj se Shqipëria ka nevojë më shumë për t’u zhvilluar. Formimi profesional që ky vend pune kërkon dhe ajo eksperiencë pune që unë kam pasur deri më sot më jep mundësinë për të bërë një punë me profesionalizëm, por njëkohësisht edhe me përkushtim të madh. Në institucionet shtetërore në Vlorë nuk na është dhënë mundësia për të konkurruar dhe për të fituar të drejtën për të punuar në këto institucione. Falë jush na është krijuar mundësia për të konkurruar dhe pas një përzgjedhje të kujdesshme të jemi pjesë e kësaj zyre."

BEVIS SHEHAJ – Lindur në 1986. Ka studiuar në degën e Gjuhës Polake për Studentët e Huaj në Universitetin e Lodzit, Poloni, ku ëhstë diplomuar shkëlqyeshëm. Në vitin 2010 është diplomuar për Drejtësinë Publike Ndërkombëtare në Poloni, Master për Drejtësi në Poloni, kandidat për Profesor/Doktor në Fakultetin e Drejtësisë, Tiranë dhe profesor i Drejtësisë në këtë universitet.

Shehaj vetë tha: "Kam mbaruar për drejtësi në universitetin e Varshavës me nota të shkëlqyera, me mesatare të përgjithshme 9.4. Jam kthyer në Shqipëri dy vjet më parë ku menjëherë fillova punë si pedagog i brendshëm te Universiteti Ndërkombëtar i Tiranës ku jepja “Të Drejtën Private”. Ndërkohë kam filluar procesin e doktoraturës “Të Drejtën Private” me temë “Psikiatria ligjore në të Drejtën Civile”.

Ishte një privilegj i jashtëzakonshëm të vija të punoja me ju. Më ka bërë jashtëzakonisht shumë përshtypje mënyra se si u zhvillua konkursi i pranimit. Intervista, pyetjet që më bënin apo dhe më pas postintervista. Unë kam pasur eksperienca në SHBA si në Nju Orlins apo San Francisko gjatë studimit tim në Varshavë, por këtë seriozitet që ishte në ekipin përzgjedhës mua më ka lënë vërtet të habitur.

Unë vërtet kam nota të mira, por eksperiencë në punë nuk kam shumë. Po, kam qenë pedagog, megjithatë të punoj me ju, është privilegji më i madh që më është dhënë në jetë."

rama me fituesit
(Kryeministri i ardhshëm me tre të rinjtë që do menaxhojnë zyrën e tij të deputetit në Vlorë)

RAMA: SOT U ÇEL ZYRA E DEPUTETIT NE VLORE

Gjatë ditës së sotme, kryeministri i zgjedhur Edi Rama, zhvilloi një takim me tre punonjësit e rinj të zyrës së tij në Vlorë, ku e pranishme ishte edhe kryetarja e FRESSH-it, Elisa Spiropali. 

Pas takimit, ajo tha" “Jam shumë e impresionuar nga të tre të përzgjedhurit dhe do të them  eksperiencën time personale për ta lidhur pastaj me atë se sa e jashtëzakonshme është kjo eksperiencë dhe ky konkurs. Unë kam ikur nga Shqipëria në vitin 1999 dhe jam kthyer në 2006. Kur jam kthyer nuk kam pasur as më të voglën ide se ku do shkoja dhe çfarë do bëja. Mënyra se si organizoheshin të ashtuquajturat konkurse apo se si funksiononte administrata e shtetit ishte aq e mbyllur, aq nepotike sa që çfarë do shkolle të kishe bërë ishte e pamundur të penetroje.

Kur studioja në Amerikë e vetmja dritare shprese që në shihnim  ishte Bashkia e Tiranës. Dhe mblidheshim gjithë shqiptarët që ishim aty dhe shikonim Bashkinë e Tiranës se ç’hapësira krijonte, vinte era Europë, vinte era modernitet, vinte era konkurs, meritokraci.

Konkursi që u bë për t’u pranuar në zyrën e deputetit Edi Rama, që është njëkohësisht dhe kryeministri, është një shenjë hapjeje, meritokracie. Talenti do vlerësohet në Shqipëri dhe një mënyrë për të zgjedhur të rinjtë më të mirë do të aplikohet.

Çfarë u mungon sot të rinjve. U mungojnë hapësirat, u mungojnë mundësitë, u mungojnë provat për të vënë në jetë talentin e tyre, apo atë që dinë të bëjnë, jam e sigurt që ju do ta vini në punë këtë talent këtu, duke u shërbyer qytetarëve të Vlorës me devotshmëri dhe jam e sigurt që qeveria e re do ta bëjë këtë në të gjithë qelizat e shoqërisë shqiptare. Të rinjtë janë pjesa më e madhe e shoqërisë shqiptare dhe meritojnë një shans. Jam e sigurt që do u jepet”. 

Po sot, kryesocialisti ka shkruar në rrjetin social "Facebook" lidhur me çeljen e zyrës në Vlorë, si dhe ka shprehur mbresat e tij edhe për tre të rinjtë të cilët të cilët do të kujdesen për administrimin e zyrës, pasi u shpallën fitues të konkursit.
 
“Sa u çel zyra e deputetit në Vlorë. Shumë i mbresuar nga tre të rinjtë fitues të konkursit për administrimin e zyrës. #RilindjeVlora”, shkruan në “Facebook” kryeministri i zgjedhur Edi Rama. Me çeljen e zyrës së deputetit, tre administratorët e zyrës kanë filluar që sot nga puna, për të pritur ankesat e qytetareve.

rama fb
rama ne vlore
rama ne vlore
(Foto: Kryeministri i zgjedhur Edi Rama me kryetaren e FRESSH-it, Elisa Spiropali)

Redaksia online
(ar.sh/e.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

112-vjetori i Pavarësisë/ Urime nga politike, Kurti: Ky 28 Nëntor na gjen me projektin e Memorialit të Adem Jasharit

112-vjetori i Pavarësisë/ Urime nga politike, Kurti: Ky 28 Nëntor na gjen me projektin e Memorialit të Adem Jasharit