VLORË – Kur kanë kaluar më shumë se 24 orë pas shpërthimit me lëndë eksplozivi në banesën e Andon Mëhillaj, njërit prej ndërmjetësve të një sërë krimesh me pagesë të kryera nga Julian Sinanaj në qytetin e Vlorës, policia e qytetit bregdetar ka shoqëruar deri tani 12 persona të dyshuar.
 
Çështja i ka kaluar për hetim Prokurorisë së Krimeve të Rënda në Tiranë, e cila ka instaluar një grup pune në qytetin e Vlorës.
 
Shpërthimi në oborrin e banesës së banesës së Andon Mëhillaj u shënua mesnatën e së dielës në lagjen 28 nëntori në Vlorë, por nuk pati të lënduar sepse familjarët e Mëhillajt janë larguar nga banesa në kohën kur ceshtja e bandës së tritolit u bë publike dhe kushurinjtë Mëhillaj u shpallën në kërkim.
 
Policia tha se deri tani nuk ka asnjë të ndaluar, por vetëm të shoqëruar, kryesisht banorë të zonës, të cilët kanë dëshmuar se momenetet pas shpërthimit në banesën e Mëhillajt.
 
Hetimet për zbardhjen e ngjarjes janë duke vijuar me intensitet nga prokuroria në bashkëpunim me policinë.
 
Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)