Disa vjedhje janë regjistruar gjatë muajit të fundit në fshatin Dukat Fushë dhe në Kaninë, duke shkaktuar shqetësim tek banorët e këtyre zonave.

Në Dukat Fushë janë grabitur disa banesa të pabanuara, kryesisht banesa të familjeve që jetojnë jashtë vendit. Gjithashtu ne fshatin dukat  raportohet për grabitjen e një njësie tregtare dhe një automjeti.

Vetëm në njësinë tregtare, autorët kanë marrë pije, paketa cigare dhe produkte të tjera, ndërsa dëmi ekonomik llogaritet në rreth 5 milionë lekë.

Pamjet e kamerave të sigurisë tregojnë persona të maskuar që hyjnë në njësinë tregtare dhe më pas largohen me sendet e grabitura. Sipas banorëve, edhe banesat janë vjedhur në të njëjtën mënyrë, duke shfrytëzuar faktin se ato janë të mbyllura dhe pronarët jetojnë jashtë vendit.

Banorët shprehen të shqetësuar se grabitjet mund të vijojnë, nëse autorët nuk identifikohen dhe ndalohen nga policia. Ata thonë se situata ka krijuar frikë në zonë, ndërsa kërkojnë shtimin e masave të sigurisë.

Sipas banorëve, autorët dyshohet se kanë përdorur edhe spray për të neutralizuar personat që mund të ndodheshin brenda banesave në momentin e grabitjes.

Ndërkohë, burime nga policia bëjnë me dije se gjatë këtyre ditëve janë shoqëruar disa persona, ndërsa janë sekuestruar edhe kamera sigurie të vendosura në zona të ndryshme, me qëllim identifikimin e autorëve të grabitjeve të fundit në Dukat dhe Kaninë.

Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të rasteve dhe identifikimin e personave përgjegjës.