VLORE - Ka rezultuar të jetë i vërtetë alarmi për bombë, i raportuar mbrëmjen e kësaj të premte në Vlorë, në zonën e ujit të ftohtë, ku tentua të hidhej në erë me tritol pranë automjetit një biznesmen 30-vjeçar. Forcat xheniere nga Tiranë kanë kryer shpërthimin e kontrolluar të pakos së dyshimtë, të vendosur pranë makinës, ku rezultoi se kishte rreth 300-500 gr eksploziv. 

 

Ka qenë pronari i automjetit, Endrit Sabadinaj, 30-vjeç, ai i cili alarmoi policinë e qytetit bregdetar se pranë automjetit të tij "Mercedez Benz" me targa AA 233 OX ishte vendosur një sasi lënde e dyshuar eksploziv, gjatë kohës që mjeti ndodhej i parkuar pranë një lokali në pronësi të tij. Lënda shpërthyese ishte e mbërthyer në një qese të zezë dhe ndodhej rreth 2 m larg makinës. Pas kontolleve të kryera nga policia u arrit në përfudimin se brenda qeses kishte rreth 300-500 gramë eksploziv. Shqiptarja.com ka mësuar gjithashtu se 30-vjeçari ka është pronar i lokalit, po te "Uji i Ftohtë", ku një vit më parë është regjistruar një ngjarje e rëndë. 

Në ambientet e këtij lokali është vrarë me armë zjarri, në prill të këtij viti, pas një sherri banal, "pse më sheh", Ergys Gjioveshi. Mësohet se Endrit Sabadinaj e ka marrë lokalin me qira pak kohë pas ngjarjes së rëndë. Nuk dihet nëse atentatit në tentativë ndaj tij mbrëmjen e kaluar ka lidhje me këtë ngjarje, ndërsa pista ku po hetohet është pikërisht ajo e hakmarrjes.

 


[gallery]25120[/gallery]
 

Njoftimi i policisë:

Vlorë 

Informacion paraprak

Më datë 15.12.2017, rreth orës 18:55, Salla Operative Vlorë është njoftuar nga një telefonatë prej shtetasit E.S., 30 vjeç, pasi dyshon se rreth 2 m larg, përpara mjetit të tij tip ''Benz'', në lagjen ''Uji i Ftohtë'', dallon një qese plasmasi të zezë dhe dyshon se ka lëndë eksplozive. Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë të cilët kanë konstatuar se, në rrugë, rreth 2 m përpara mjetit tip ''Benz'' gjendet një objekt i mbështjellë me qese të zezë.

Policia ka rrethuar zonën për të mbajtur larg perimetrit të rrezikut banorët përreth. Janë njoftuar e janë duke ardhur edhe Forcat Xheniere për të vlerësuar situatën dhe përcaktuar çfarë objekti është.

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com