VLORE - Rikthehen shpërthimet me eksploziv në qytetin e Vlorës. Një automjet është hedhur në erë mëngjesin e sotëm në lagjen "24 maji" e njohur ndryshe si lagjia "Çole", ku janë regjistruar disa ngjarje të rënda kriminale ndër vite.

Makina ka qenë një "Mercedes-Benz" me targa AA 720 FD me pronar Agim Islamaj, 30 vjeç, banues në Vlorë. Automjetit i është vendosur një sasi lënde plasëse gjatë natës dhe ka shpërthyer në orën 07:30 të mëngjesit të kësaj të diele, sapo drejtuesi e kishte parkuar përpara banesës dhe kishte dalë prej saj. Fatmirësisht ai ka shpëtuar pa asnjë lëndim nga shpërthimi. 

"Shqiptarja.com" ka siguruar edhe pamjet e para nga automjeti i hedhur ne erë. Makina ka pësuar dëmtime në pjesën përpara si dhe i janë thyer edhe xhamat. Lënda plasëse i është vendosur makinës në anën e pasagjerit.


Policia ka dhënë detajet e para për ngjarjen, ndërsa ka nisur hetimet për identifikimin e autorit/ve. Pronari i automjetit është marrë në pyetje nga uniformat blu dhe dëshmia e tij pritet të hedhë dritë drejt zbardhjes së kësaj ngjarje.

Informacion paraprak

Më datë 22.07.2018, rreth orës 07:34, në lagjen ''24 Maji'', është dëmtuar pjesërisht me shpërthim mjeti tip ''Benz'' me targa AA720FD, në pronësi të shtetasit A.I., 30 vjeç, banues në Vlorë.

Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.