Ky është objekti 13 katësh që do të ndërtohet në zonën e Skelës në Vlorë, ku dy ditë më parë bashkia shembi një ndërtesë dy katëshe ku jetonin 7 familje.

Këto të fundit u shpronësuan sipas ligjit, por dy prej tyre nuk pranuan shumën e dhënë dhe refuzuan të linin ndërtesën ku banonin. Për rrjedhojë u desh ndërhyrja e policisë që shoqëroi në komisariat Tatjana Hoxhën dhe të bijën që hipën në tarracën e objektit që më vonë u shemb.

Siç shihet  ashtu siç vetë Tatjana Hoxhaj u shpreh ditën e djeshme, në projektin e miratuar, përpos rrugës që do të lidhë zonën me lungomaren e Vlorës, do të ndërtohet edhe një pallat 13 katësh.

Ndërsa 63 vjeçarja, në një intervistë për Report TV ditën e djeshme u shpreh se do të futet në grevë urie pas shembjes së ndërtesës ku jetonte prej 40 vitesh.

Për apartamentin e saj 56 metra katrorësh, bashkia i kishte ofruar 4 milionë e 700 mijë lekë si shpërblim, shumë që Hoxhaj e ka konsideruar tepër të ulët krahasuar me vlerën që ka trualli.