63-vjeçarja Tatjana Hoxhaj nuk largohet nga rrënojat. Një ditë pasi u shemb pallati ku banonte prej 40 vitesh ajo shprehet se do të futet në greve urie.

‘Jam për grevë urie. E thash në polici. Unë nuk do të largohem kurrë nga trualli i shtëpisë sime. Dua dëmshpërblim sipas ligjit.’- tha ajo.

Tatjana Hoxhaj ishte pronare e një apartamenti 56 metra katror, për të cilin është dëmshpërblyer me vendim të këshillit të ministrave me vlerën e 4 milionë e 700 mijë lekeve. Por Tatjana pretendon se vlera e shpronësimit është tejet e ulët. 

Bashkia e Vlorës shembi pallatin e vjetër dykatësh për të ndërtuar një rrugë të re që do të lidhë lagjen “Skelë” me Lungomaren, ndërsa 63-vjeçarja pretendon se në këtë truall është dhënë leje për pallat të ri.

‘E kam blerë e kam me hipotekë. Kjo ndërtesë është që më 1960 dhe të gjithë banorët kanë qenë me hipotekë. Nuk na janë afruar e kam siguruar me kërkesë nga bashkia lejen që më ka dhënë Shpëtim Gjika. Këtu ishte dhënë lejë për të ndërtuar pallat. Ata më jepnin 47 mln unë aq e kam blerë, para 40 vjetësh. Më çuan në qeli bashkë me vajzën. Nuk me lejuan që të bëj asnjë kallëzim penal, me dhunë më kanë nxjerrë nga policia. Kam 10 mln lekë që i kisha marrë borxh!’- tha Hoxhaj.

Tatjana Hoxhaj është e divorcuar dhe jetonte vetëm me vajzën. Një ditë më parë ato bënë rezistencë duke u ngjitur në çati. Policia i shoqëroi për disa orë e më pas i la të lira. Me paratë e shpronësimit nuk mund të blejë një shtëpi të re, ndaj Tatjana Hoxhaj thotë se do ta vazhdojë betejën, duke kërkuar kompensim për truallin, jo vetëm për apartamentin.

Në pallatin dy katësh që u rrafshua një ditë më parë jetonin 7 familje, të cilat kanë liruar shtëpitë në këmbim të parave të shpronësimit, ndërsa Tatjana vijon betejën!

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:43
Fadromat punojnë për ndërtimin e rrugës, 63-vjeçarja qëndron aty që prej mëngjesit

 

Tatiana Hoxhaj, 63 vjeçarja qëndron që prej mëngjesit tek rrënojat e pallatit që u shemb një ditë më parë në protestë kundër bashkisë së Vlorës që shembi objektin për të ndërtuar një rrugë të re. Ajo qëndron mes fadromave në shenjë proteste.