VLORË- Është shtyrë me 2 muaj seanca e radhës për ish-oficerin e policisë, Dritan Zagani, i cili akuzohet për shpërdorim detyre dhe moskallëzim krimi. Seanca e nisur sot në Gjykatën e Apelit të Vlorës u shty për shkak të kërkesës së Ministrisë së Drejtësisë, pasi nuk ka arritur që të njoftojë Zaganin përmes autoriteteve zviceriane.
Burime për Report Tv bëjnë me dije se seanca e radhës do të mbahet me 22 janar. Ndërkohë në seancën e sotme është paraqitur babai i Dritan Zaganit, i cili ka ndjekur zhvillimet rreth çështjes së të birit. Seanca drejtohej nga relatorja Margarita Buhala, anëtare e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.
Në shkallë të parë Zagani është dënuar me 4 vite e gjysmë heqje lirie, ndërsa prej disa vitesh ish-oficeri ndodhet në Zvicër. Dritan Zaganit, ish-oficeri i policisë u bë i famshëm për denoncimet ndaj ish-ministrit Saimir Tahiri dhe ka pesë vite që është në arrati. Teksa ishte në masën e sigurisë “arrest shtëpie” pasi ndiqej penalisht nga prokuroria, Dritan Zagani gati pese vite më parë vendosi të largohej fshehtas nga Shqipëria, duke kërkuar azil politik në Zvicër, nga ku bëri denoncimet e tij ndaj Saimir Tahirit dhe disa prej drejtuesve të policisë, si të lidhur me grupin e Habilajve në trafikun e kanabisit.
Komento