TIRANË - Të paktën 40 mijë kilogramë kafe janë vjedhur nga 2 magazinierë dhe një shpërndarës në subjektin ku ata punonin prej disa vitesh, në kryeqytet.
Policia njoftoi sot se arrestoi magazinierët Altin Kenga dhe Vasilika Kazo, ndërsa është vënë nën hetim 29-vjeçari që ka shpërndarë kafen.
Rreth 800 mijë euro është shuma që dyshohet se kanë përfituar 3 punonjësit nga shitja e kafes së vjedhur, përgjatë 3 viteve.
Blutë kanë publikuar edhe pamje të filmuara nga kamerat e sigurisë së subjektit ku punonin 2 magazinierët dhe shpërndarësi, ku këta 3 të fundit dyshohet se po vjedhin një sasi kafeje.
Njoftimi i plotë i policisë:
Vodhën 40 000 kg kafe në subjektin ku punonin dhe e shitën, vihen në pranga 2 magazinierë dhe në hetim shpërndarësi.
Nga kjo veprimtari kriminale e kryer përgjatë 3 viteve, 3 shtetasit dyshohet se kanë përfituar 800 000 euro.
Si rezultat i veprimeve operacionale të kryera mbi kallëzimin e administratores së një subjekti në fushën e prodhimit/tregtimit të kafesë, se kishte konstatuar vjedhjen e një sasie të madhe produkti, specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare finalizuan operacionin e koduar “Inventari”.
Si rezultat i operacionit:
-u vunë në pranga shtetasit A. K., 35 vjeç dhe V. K., 29 vjeçe, magazinierë në këtë subjekt;
-nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin L. B., 29 vjeç, shpërndarës.
Nga hetimet dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, duke shpërdoruar detyrat, gjatë një periudhe trevjeçare, kanë vjedhur 40 000 kilogramë kafe, nga shitja e së cilës kanë përfituar 800 000 euro.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.
Komente












hajde "biznes" hajde, as auditim as kontroll as varja, kjo eshte me te vertete para e piste
Përgjigju