Andi Hasani, 45 vjeç, dhe 48 vjeçari Agron Goxhaj, e vëzhguan pronarin e një banese në zonën e Porcelanit në Tiranë derisa doli, dhe më pas me një çelës të falsifikuar hynë brenda për të vjedhur sende me vlerë.

Nga aty dolën me kasafortën e plotë, brenda së cilës, kur e hapën, gjetën para, bizhuteri floriri dhe një pistoletë që i zoti e kishte me leje. Gjetja e armës e komplikoi situatën e 2 hajdutëve, që dyshohet se kanë vjedhur edhe në zona të tjera të Tiranës dhe Durrësit, pasi menduan se pronari mund të ishte ndonjë punonjës policie. Në panik, Hasani dhe Goxhaj, vendosën të rikthejnë në banesë vetëm kasafortën dhe armën, duke mbajtur sendet e tjera me vlerë për të cilat kishin hyrë brenda.

Por llogaritë nuk i kanë dalë sipas parashikimit me planin e dytë. Rikthimi i armës në banesë do të rezultonte një mision i pamundur dhe me rrezikshmëri të lartë, për shkak se forca të shumta policie tashmë kishin ardhur para tyre. Pronari i banesës, i cili rezulton të ketë pasur të justifikuara paratë dhe sendet me vlerë, kishte konstatuar grabitjen dhe njoftoi policinë. Ndërsa blutë kryenin veprimet hetimore ne banesë për vjedhjen, grabitësit u shfaqën dhe me të kuptuar që blutë tashmë i kishin parë ia futën vrapit, por pa mundur për t’u shpëtuar. Efektivët e Komisariatit nr. 4 i ndodën dhe i prangosen.

Nga kontrollet në banesën e Agron Goxhajt, i cili rezulton me precedent penal, i arrestuar më parë për plagosje në Shkodër, u gjet një punishte e përshtatur për modifikim çelësash të ndryshëm për të mundësuar hapjen e bravave të apartamenteve. Vëzhgonin shtëpi që dyshonin se i kishin njerëz me të ardhura të mira, dhe në bazë të dyerve që kishin, 48-vjeçari mund të rikrijonte çelës për hapjen e tyre. Burime pranë policisë thonë se njihet për mënyrën e zgjuar të kopjimit të çelësave pa pasur origjinalin. Nga veprimet e bluve, përveç arrestimit në flagrancë, u sekuestruan edhe kasaforta, sende me vlerë floriri të marra në apartament, 2 automjete. Agron Goxhajt iu gjet edhe 1 motoçikletë me vlerë rreth 30 mijë euro, të cilën sapo e kishte blerë.

-------------------------------

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë