Tre punonjës të Bashkisë së Vlorës janë pezulluar nga detyra që prej 19 dhjetorit 2025, pas dyshimeve se kanë përvetësuar karburant nga mjetet e punës në Pikën e Grumbullimit të Mbetjeve. Për të njëjtin rast, janë ndërmarrë masa disiplinore edhe ndaj një punonjësi të Policisë Bashkiake.
Rasti është evidentuar pasi një drejtues kamioni të ushtrisë, i angazhuar në pastrimin e rrjetit të kanalizimeve dhe i parkuar në ambientet e pikës së grumbullimit, ka konstatuar ndërhyrje të dyshimta në mjetin e tij, duke ngritur dyshime për mungesë nafte.
Pas sinjalizimit, drejtuesit përkatës në bashkëpunim me përgjegjësit e mjeteve ushtarake kanë verifikuar pamjet e kamerave të sigurisë. Kontrolli ka zbuluar se kamera që monitoronte vendin ku ishte parkuar kamioni ishte zhvendosur nga pozicioni fillestar, duke mos mbuluar më zonën përkatëse. E njëjta situatë është konstatuar edhe në një interval tjetër kohor.
Gjatë orareve kur kamerat rezultonin të spostuara, shërbimin e kishte një efektiv i Policisë Bashkiake, i cili në deklarimin e tij ka pohuar se lëvizja e kamerave ishte bërë me kërkesë të dy punonjësve të ndërmarrjes së pastrimit, për të mundësuar furnizimin e një automjeti me naftë.
Në vijim, Policia Bashkiake ka ndërmarrë masa disiplinore ndaj efektivit për shkelje të rregullave të shërbimit, ndërsa Bashkia e Vlorës ka pezulluar tre punonjësit e përfshirë, ndonëse këta të fundit kanë kërkuar rikthimin në detyrë.
Komente











