Ish-ministri socialist Arben Malaj, i pyetur në ‘Studio Live’ nga gazetari Ermal Qori në Report Tv nëse do të garonte në zgjedhjet lokale si kandidat i pavarur për Bashkinë e Vlorës, siç kishte deklaruar më herët, tha se ende nuk kishte marrë një vendim përfundimtar.
“Unë kisha shumë dëshirë, kam shumë dëshirë, por vendimin përfundimtar do ta marr më vonë. Kur unë vura në dispozicion gjithë eksperiencën time, gjithë netuorkun tim në shenjë mirënjohje për Vlorën, kisha parasysh që Vlora do reagonte në qëndrimin e saj. Sepse Vlora deri tani ka reaguar, por ka reaguar jo me votë kundër, por me mos-pjesëmarrje në zgjedhje. Dhe nuk shoh që ka ndonjë gjallërim që ta ndryshojë këtë qëndrim”, tha mes të tjerash Malaj.
Lidhur me protestat e zhvilluara kohët e fundit në Tiranë, Malaj dënoi dhunën dhe tha se Shqipëria nuk mund të digjet sërish si në vitin 1997.
“E dyta, protesta, unë që në fillim u shpreha kundër protestave me dhunë, sepse është edhe përgjegjësi sepse e di që është djegur njëherë vendi im. Që protesta do të fitojë nga masivizimi, jo nga agresiviteti i dhunës. Parimisht në politikë unë jam me mos-bindjen civile që kanë provuar vende të tjera, më të mëdha se Shqipëria, sepse duhet të ndërtojmë pa shkatërruar. Nëse bëjmë revolucion, shkatërrojmë edhe institucionet, siç na ka ndodhur në të dyja rastet, edhe në 1992, edhe në 1997, të gjitha këto kosto janë kostot e vonesës për atë që njerëzit janë të zhgënjyer për atë që ne duhet të kishim arritur. E treta, edhe protesta tani nuk duket nëse do të jetë një subjekt inspirues për zgjedhjet e tjera, apo do presë zgjedhjet parlamentare. Koha është e shkurtër, po nuk u bë strukturë kapilare në çdo qytet, çdo lagje, që të ngrihen e të mobilizohen, është e pamundur që të ndryshojë rezultati”, shtoi Malaj.
Ai tha se priste që SPAK të avanconte më shumë në luftën kundër korrupsionit të niveleve të larta dhe korrupsionit zgjedhor, teksa ripërsëriti se nuk mund të hynte në një garë, ku sipas tij, vota vidhet.
“E treta që unë mendoj se do të ndodhte pozitivisht ishte që SPAK do avanconte më shumë në luftën kundër korrupsionit të niveleve të larta, duke krijuar shpresë se po ndodh një ndryshim. Kështu që duhet parë me kujdes, sepse unë nuk mund të jem egoist, që të regjistrojë thjeshtë një konkurrim në garë dhe t’i lë mbështetësit e mi nën dhunën e patronazhistëve, sepse pyetja e tyre e shpeshtë është ‘kush na e mbron votën?’. Dhe në 2013 kur unë dola i pavarur, ‘Rilindja’ atëherë na e vodhi votën", përfundoi Malaj.
Lajmi kryesor:
Lufta me Ramën/ Ish-ministri Malaj: I shqetësuar për shëndetin e Veliajt, kryeministri të faktojë pretendimet për financimin e protestave nga kryebashkiaku (VIDEO)











