Një seri vjedhjesh në banesa në zonën e Kavajës dhe Golemit janë zbardhur nga policia e cila i ka vënë prangat një 31-vjeccari me precedentë penalë.

Bëhet fjalë për personin me inicialet  T. H., banues në Skrapar, i cili sipas hetimeve dyshohet se gjatë muajve shkurt dhe mars 2026 ka kryer 4 vjedhje në banesa, duke marrë orendi, pajisje dhe sende me vlerë.

Ajo që e bën edhe më të rëndë situatën është fakti se 31-vjeçari ka kryer 3 nga këto vjedhje ndërkohë që ishte në kërkim për një tjetër ngjarje kriminale.

Sipas verifikimeve, ai ishte shpallur në kërkim nga Komisariati i Policisë Nr. 4 në Tiranë për “vjedhje me dhunë”, pasi më 17 mars 2026, në bashkëpunim me një tjetër person, dyshohet se i ka marrë me forcë një 28-vjeçari dy telefona celularë dhe një shumë parash.

Kapja e tij erdhi pas një pune intensive hetimore nga shërbimet e Policisë së Durrësit, të cilat në bazë të informacioneve operative arritën të zbardhin rastet dhe të identifikojnë autorin.

Ndërkohë, veprimet për ndalimin e tij u kryen nga strukturat e Policisë së Tiranës.

Materialet i janë referuar Prokurorisë së Durrësit për vijimin e procedurave për veprën penale “vjedhja”, e kryer më shumë se një herë.

Njoftimi i plotë i policisë 

Kavajë/Zbardhen 4 raste të vjedhjes në banesa, kapet dhe vihet në pranga autori i dyshuar, me precedent për vjedhje.  31-vjeçari i kreu 3 nga vjedhjet ndërkohë që ishte në kërkim për një vjedhje me dhunë të kryer në Tiranë.  Si rezultat i punës intensive hetimore që kryhet për zbardhjen e vjedhjeve, identifikimin dhe kapjen e autorëve, shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, bazuar dhe në informacione të siguruara në rrugë operative, zbardhën disa vjedhje të kryera gjatë dy muajve të fundit dhe identifikuan autorin e dyshuar, shtetasin:  -T. H., 31 vjeç, banues në Skrapar. Nga hetimet dyshohet se ky shtetas, gjatë muajve shkurt dhe mars 2026, ka vjedhur orendi, pajisje dhe sende me vlerë, në 4 banesa, në Golem dhe Kavajë.  Nga verifikimet rezultoi se ky shtetas ishte shpallur në kërkim nga Komisariati i Policisë Nr. 4, Tiranë, për veprën penale “Vjedhja me dhunë”, kryer në bashkëpunim, pasi dyshohet se më datë 17.03.2026, në bashkëpunim me një tjetër shtetas, i ka vjedhur me dhunë një 28-vjeçari, 2 celularë dhe një shumë parash.  Veprimet procedurale për ndalimin e këtij shtetasi u kryen nga strukturat e DVP Tiranë.  Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Vjedhja”, kryer më shumë se një herë.

_________

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë