Një 36-vjeçar ka rënë në prangat e policisë së Lushnjës si autor i dyshuar i 2 vjedhjeve. Mariglen Gashi i dënuar edhe më parë i ka kryer vjedhjet më 16 dhe 17 korrik.
Në datën 16 ai dyshohet se ka vjedhur 2 bateri automjetesh, ndërsa një ditë më vonë, në orët e para të mëngjesit, është futur në një lokal në fshatin Plug, Lushnjë, dhe ka marrë një shumë parash dhe një laptop.
Pas grabitjes ai i vuri edhe zjarrin lokalit, duke shkaktuar dëme të shumta materiale.
Njoftimi i policisë:
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnjë, në kuadër të goditjes së veprimtarisë kriminale në fushën e vjedhjeve, finalizuan operacionin policor të koduar “Again”, gjatë të cilit zbardhën 2 raste vjedhjeje të kryera brenda 2 ditësh.
Në kuadër të këtij operacioni u arrestua në flagrancë shtetasi M. G., 36 vjeç, banues në fshatin Plug, Lushnjë.
Nga veprimet hetimore rezultoi se ky shtetas, i dënuar më parë për veprën penale “Vjedhja”, dyshohet se ka kryer dy vjedhje, më datat 16 dhe 17 korrik 2026, në fshatin Plug, Lushnjë. Gjatë vjedhjes së dytë, në një lokal, pasi ka marrë një shumë parash dhe një laptop, dyshohet se i ka vënë zjarrin objektit.
Konkretisht, më datë 16.07.2026, ai dyshohet se ka vjedhur 2 bateri automjetesh, ndërsa më datë 17.07.2026, në orët e para të mëngjesit, është futur në një lokal në fshatin Plug, Lushnjë, dhe pasi ka marrë një shumë parash dhe një laptop, i ka vënë zjarrin lokalit, duke shkaktuar dëme të shumta materiale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme procedurale.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Komente







