Një 42-vjeçar është arrestuar në Tiranë pasi disa ditë më parë kishte vjedhur para në një dyqan duke kërcënuar shitësen me thikë.

Pamjet tregojnë Bledjan Shkëmbin, me maskë të zezë në kokë teksa merr paratë në dyqanin në rrugën “Kongresi i Manastirit” dhe më pas largohet. Kamera të ndryshme sigurie kanë filmuar itinerarin e tij, kohë gjatë së cilës shfaqet pa maskë. Rezulton se Shkëmbi ka qenë më parë i dënuar për vjedhje.

Thika dhe veshjet e përdorura prej tij janë sekuestruar.

Materialet hetimore i kanë kaluar prokurorisë.

Njoftimi i policisë:

Vodhi një shumë parash në një dyqan, duke kanosur punonjësen, me thikë, kapet dhe vihet në pranga 42-vjeçari, i dënuar më parë për vjedhje. 

Sekuestrohen thika dhe veshjet që dyshohet se ka përdorur 42-vjeçari, gjatë kryerjes së vjedhjes.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, në vijim të punës për zbardhjen e vjedhjeve, identifikimin dhe arrestimin e autorëve, organizuan dhe finalizuan operacionin e koduar “Tools”, si rezultat i të cilit u kap në bashkëpunim me shërbimet e DVP Durrës dhe vu në pranga shtetasi në kërkim:

-B. Sh., 42 vjeç, banues në Tiranë.

Ky shtetas dyshohet se më datë 01.04.2026, në rrugën “Kongresi i Manastirit”, ka vjedhur një shumë parash (xhiron ditore) në një dyqan, duke kanosur punonjësen, me thikë.

Vijon puna për dokumentimin e vjedhjeve të tjera që mund të jenë kryer nga ky shtetas. 

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

-------------------------------

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.