Partizani ka fituar 3-2 finalen e tretë të play off-it në volejboll për meshkuj ndaj Erzenit, duke hapur betejën për titullin kampion. Në sallën sportive “Feti Borova” pranë Tirana Olimpik Park u luajt finalja e tretë, aty ku sërish u regjistrua rezultati 3-2, por këtë herë në favor të skuadrës kryeqytetase. Për Partizanin kjo është fitorja e parë, ndërsa Erzeni ka fituar dy sfidat e para dhe udhëheq 2-1 serinë e finaleve.
Ndeshja është kontestuar disa herë si pasojë e vendimeve të gjyqtarit Igli Fështi, sidomos nga Erzeni, pasi ka dhënë vendime të dyshimta në favor të Partizanit. Pikërisht për këtë, stafi shijakas i ka kërkuar Federatës së Volejbollit gjyqtar të huaj për ndeshjen e radhës finale.
Ashtu si dy takimet e para, edhe i fundit ishte me shumë rivalitet dhe emocione, madje këtë herë ishte Erzeni ai që udhëhoqi 2-1 me sete, por seti i fitores nuk erdhi. I mbështetur nga më shumë se 400 tifozë, skuadra shijakase tentoi të shpallet kampion, por gaboi në setin final, set që këtë herë u fitua nga Partizani, që rikthehet në garë për titull.
Të kuqtë e trajnerit Ylli Tomori fitojnë 25-17 setin e parë, por shpejt loja ndryshon kah. Skuadra e Erzenit merr komandën e lojës, duke u shkëputur gradualisht dhe më pas fiton 25-18. Seti i tretë është më i bukuri, ekipet rivalizojnë fort për cdo pikë, ku herë udhëheq Erzeni e herë Partizani, duke e bërë mjaft dramatike lojën. Por, në pikët e fundit, shijakasit janë më të saktë, duke fituar 25-23 dhe janë një set larg titullit kampion. E njëjta situatë edhe në setin e katërt, ku emocionet përjetohen deri në fund, por Partizani fitoi 25-21, duke barazuar 2-2 shifrat.
Seti final është tërësisht i Partizanit, që ndryshe nga dy takimet e para, këtë herë nuk gabon dhe fiton 15-3 dhe krejt ndeshjen 3-2, duke mbajtur gjallë shpresat për titull. Të mërkurën do të luhet finalja e katërt e play off-it në fushën e Erzenit.