TIRANE- Një revoltë e emigrantëve sirianë që mbahen të izoluar në ambientet e Qendrës së Mbylljes së Emigrantëve të Parregullt në fshatin Kareç të Vorës, ka vënë në lëvizje efektivët e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë në Tiranë.

Shkak i revoltës së shtetasve sirianë që janë kapur nga policia teksa kishin hyrë në Shqipëri për të kaluar më pas në vendet e BE, janë bërë kushtet e këqija higjeno-sanitare dhe prekja nga sëmundjet infektivë në këtë qëndër që menaxhohet nga strukturat e Drejtorisë së Kufirit.

Lajmi bëhet i ditur nga burime pranë policisë të cilat thanë se prej disa ditësh disa grupe prej 4 efektivë të FNSH, janë dislokuar me shërbim 24 orë pranë kësaj qendre me qëllim për të mbajtur në kontroll situatën në ambientet e qendrës së pritjes së emigrantëve të huaj në fshatin Kareç të Vorës.