KORCE - Fshati turistik i Voskopojës në rrethin e Korçës, i njohur për turizmin malor, dhe ajrin e pastër edhe këtë sezon veror do i mirëpresë turistët mes rrugëve të shkatërruara.

Prej tre muajsh punimet për rindërtimin e kalldrëmeve janë ndërprerë, ndërsa në aksin Korçë-Voskop, nyja lidhëse me Voskopojën, prej vitesh automjetet zhyten mes gropave.

Sipas kreut të Komunës, Nexhip Bacelli, punimet për kalldrëmet në qendër janë lënë në mes për shkak të kohës së keqe dhe priten të nisin sërish në fund të muajit mars.

Ndërkohë problematik mbetet aksi nacional Korçë-Voskop, që sikurse thekson z.Bacelli nëse nuk ndërhyhet, do të ndikojë ndjeshëm në mbërritjen e turistëve drejt pikës turistike të Voskopojës, sikurse ka ndodhur deri më tani.

Por, nisja e punimeve në prag të sezonit veror do ta kthejë Voskopojën nga një pikë turistike në kantier ndërtimi. Turistët do të niseshin drejt saj vetëm për ajrin dhe natyrën piktoreske,ndërsa do iu duhet të sfidonin gropat.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)