TIRANË- Duke filluar nga data 5 prill, në Parkun Olimpik “Feti Borova” në Tiranë, KQZ do të nisë paketimin e 245 808 zarfeve zgjedhore për tua dërguar të gjithë emigrantëve që janë regjistruar përmes votës me postë.
Fletët e votimit janë një lloj, si ato që do të përdoren në Shqipëri, si ato që do të dërgohen në diasporë. Ato do të prodhohen në Slloveni dhe të parat, do të prodhohen ato që janë për në diasporë, të cilat kanë ekstra një shirit blu në anën e pasme.
“Më 5 prill, tek Parku Olimpik nisim përgatitjen e materialeve zgjedhore (mbushjen e zarfeve) që më pas i nisim në diasporë. Ambienti kënaq nevojat e të gjithë palëve”, tha Celibashi.
![]()
Ato do të vijnë të palosura nga fabrika, për të lehtësuar paketimin e tyre nga KQZ. Në sallën e parkut olimpik, do të bëhet mbushja e zarfeve. Fleta e votimit do të vuloset dhe do të futet e palosur në një zarf A. Pastaj në një zarf të jashtëm B, i cili mban barkodin me informacion mbi zgjedhësin, shtetin ku jeton dhe qarkun për të cilin voton, por jo emrin dhe mbiemrin e tij.
Kështu numëruesit nuk do të kuptojnë zarfet e kujt kanë në duar dhe do të ruhet sekreti i votës. Votuesi duhet të hapë zarfet me kujdes për të mos i grisur materialet zgjedhore, të plotësojë fletën e votimit, duke bërë shënimeve vetëm brenda një kolone, dhe ta palosë e ta fusë brenda zarfit A e pastaj mbi atë B. Nuk duhet bërë asnjë shënim mbi zarfe, dhe brenda tyre nuk duhet të futet asgjë tjetër veç fletës.
Pakoja zgjedhore që dërgohet nga KQZ, do të ketë edhe zarfin e kthimit të votës, ndaj votuesi nuk duhet të blejë apo paguajë asgjë. Transporti i një zarfi me materiale votimi në diasporë dhe kthimi pas i tij, do të shkojë 50 euro. Kostoja totale e buxhetit të shtetit për transportin e votës jashtë vendit llogaritet 12.5 mln euro.
85 janë shtetet nga ku është regjistruar diaspora shqiptare. Italia është shteti që kryeson me regjistrimet, konkretisht 91 210 zgjedhës, ndjekur nga Greqia me 68 292 zgjedhës, Gjermani 25 491 zgjedhës, SHBA 20 669 zgjedhës dhe Britania e Madhe me 17 583 zgjedhës.
KQZ këshillon çdo votues që brenda 3 ditëve nga marrja e zarfit, ta plotësojë dhe dërgojë atë në KQZ. Kjo, që zarfet të hyjnë në Shqipëri brenda orës 19:00 të datës 11 maj. Çdo zarf i ardhur pas këtij orari, nuk do të numërohet.
Komente

