TIRANË - Partia Demokratike do të ketë propozimet e saj për amendimin e Kodit Zgjedhor, fillimisht vetëm për dekriminalizimin dhe problemet e vërejtura në zgjedhjet e fundit, ndërsa për votën e emigrantëve ende nuk ka një propozim zyrtar. Burime pranë PD bëjnë të ditur se nuk është koha për një diskutim të tillë, përsa kohë ende s’është publikuar raporti përfundimtar i OSBE/ODIHR dhe s’dihet se cilat do të jenë rekomandimet e ndërkombëtarëve, për procesin zgjedhor të sapo përfunduar. Qëndrimin e shprehur nga kryeministri Rama se do të bëhet çmos që të votojnë edhe emigrantët për zgjedhjet e ardhshme, në vendin ku ata jetojnë dhe punojnë, demokratët e shohin me dyshim, pasi jo më larg se 2 vite më parë, ata akuzonin Ramën se u mohoi emigrantëve të drejtën e ushtrimit të votës për zgjedhjet parlamentare të 2013-ës. Nisur nga kjo klimë mosbesimi mes palëve, ndryshimet e Kodit Zgjedhor dhe krijimi i mundësive të votimit për emigrantët, do jenë një objekt i gjatë debati mes mazhorancës dhe opozitës.