Vota e emigrantëve, aleatët
kundër PD, zbardhet memoja

Vota e emigrantëve, aleatët<br />kundër PD, zbardhet memoja
Përpos Reformës në Drejtësi dhe sfidës së zbatimit të saj, Reforma Zgjedhore pritet të dominojë ditët dhe javët politike në vijim. Teksa Partia Demokratike dhe Paria Socialiste ndahen tek votimi elektronik dhe vota e emigrantëve, partitë e tjera janë fokusuar dhe kanë ngritur zërin edhe për disa çështje të tjetra, përcaktuese për të ardhmen e tyre elektronike, duke nisur që nga listat e hapura, depolitizimi i komisioneve të administrimit të zgjedhjeve, korrektimi kombëtar etj.

Por, ka një pikë, e cila bashkon të gjitha partitë politike në Shqipëri për Reformën Zgjedhore, duke përjashtuar Partinë Demokratike, e cila është kundër.

Bëhet fjalë për të drejtën e votimit për emigrantët në vendet ku jetojnë. Nëse i referohemi një deklarate të bashkëkryetarit socialsit i komisionit të reformës zgjedhore, Taulant Balla, bazuar në negociatat me përfaqësuesit e opozitës, Partia Demokratike është kundër votës së emigrantëve.

Ndërkaq, nga ana tjetër, ka një konsensus të mes të gjitha partive parlamentare dhe jo parlamentare, të majta, të djathta apo të qendrës, pro votës së emigrantëve.

Memoja
Konsensusi mes partive për votën e emigrantëve konfirmohet edhe nga një memo e zbardhur nga Shqiptarja.com, që partitë e djathta aleate i kanë dërguar kryetarit të opozitës Lulzim Basha. Përpos të tjera, memoja që mban firmën e kreut të Lëvizjes së Legalitetit, Sulejman Gjana, parashtron tre kërkesa për votën e emigrantëve.

“Të rezervohen disa vende në Parlament për përfaqësues politikë nga diaspora. Të garantohet votimi i emigrantëve në vendet ku jetojnë. Të sigurohet ndershmëria e numërimit të votave të emigrantëve”, thuhet në memo. Ndërkaq, asnjëra nga tre kërkesat nuk është përfshirë në platformën e shpallur nga Partia Demokratike për Reformën Zgjedhore.

Kërkesat e tjera
Aleatët e Partisë Demokratike kanë kërkuar vendosjen e detyrimit ligjor për votimin elektronik në të gjithë vendit, ndërsa kanë propozuar si alternativë tjetër, numërimin e votave në mënyrë elektronike.

Po ashtu, një tjetër kërkesë e aleatëve është depolitizimi i komisioneve në të gjitha nivelet e administrimit të zgjedhjeve. Kjo kërkesë është artikuluar edhe nga aleatët e Partisë Socialiste, por duket se ka një pakt të heshtur mes partive të mëdha, për të mos hequr dorë nga komisionerët politikë, të cilët konsiderohen si problemi dhe rreziku kryesor i cënimit të standardeve të çdo palë zgjedhjeve në Shqipëri.

Partitë e ashtuquajtura të vogla kërkojnë gjithashtu që financimi i fushatës elektorale të bëhet vetëm nga buxheti i shtetit dhe jo nga donatorë privatë. “Buxheti i shtetit për fushatat elektorale të ndahet në dy zëra, ku 20 për qind të fondit të akorduar nga shteti të ndahet në mënyrë të barabartë ndërmjet të gjitha partive pjesëmarrje në zgjedhje.

Ky fond të konsiderohet i pakthyeshëm në buxhet pavarësisht nga rezultati. Ndërsa 80 për qind e këtij fondi të ndahet ndërmjet subjekteve pjesëmarrëse në fushatë në propocion të rezultatit të zgjedhjeve të fundit”, thuhet në propozim.

Balla për PD
Bashkëkryetarit socialsit i komisionit të Reformës Zgjedhore, Taulant Balla, ka deklaruar disa ditë më parë se Partia Demokratike është kundër votës së emigrantëve."Partia Demokratike ka kundërshtuar për votën e emigrantëve, por ne nuk heqim dorë, se kur do të realizohet nuk dihet. Në fund të vitit duhet të kemi një Kod të ri Zgjedhor, ndërsa korrektimi i sistemit elektoral është një vendimmarrje politike.

Ndryshimi i sistemit kërkon ndërhyrje kushtetuese. Personalisht mendoj se nuk duhet ndryshuar, pasi ka funksionuar në dy palë zgjedhjet e fundit", ka pohuar Balla. Megjithatë, Partia Demokratike nuk është prononcuar ende zyrtarisht kundër votës së emigrantëve, edhe pse kjo çështje nuk shikohet si prioritare në platformën e saj për Reformën Zgjedhore. 

faksimile memo



dy.b/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Kredimarrësit e këqinj s'do marrin më kredi, si e vlerësoni rregulloren e BSH?



×

Lajmi i fundit

Kumbullat e thata, vetitë e forta për rigjenerimin e kockave

Kumbullat e thata, vetitë e forta për rigjenerimin e kockave