Florjan Haçkaj, përfaqësues i Diasporës për Shqipërinë e Lirë është shprehur për votën e emigrantëve duke thënë se procesi mund të jetë gati nëse zgjedhjet e ardhshme mbahen në vitin 2025. Sa i përket diskutimeve që të krijohet zonë e 13 zgjedhore ose vota e Diasporës t’i shkojë qarkut të tiranës dhe të shtohet Numri i deputetëve apo qytetarët të votojnë në zonën ku kanë qenë të regjistruar së fundmi, Haçkaj tregon se cila mund të jetë zgjidhja më e mirë. Sipas tij qytetarët duhet të votojnë në vendin ku janë regjistruar në mënyrë që të mos ulet vlera e tyre në 3 ose 5 deputetë.  

“Ne e kemi hedhur poshtë variantin e një zone të caktuar. Ideja për 3 ose 5 deputetë është e papranueshme se ul vlerën e diasporës. Pra nuk mund t’i hedhësh hi syve dhe ti thuash mbylle gojën. Idealja është që proceset të ndahet, votimi të mundësohet dhe të mos përzihet me përfaqësimin në parlament për të mos i prishur punë votimit. Nëse jam regjistruar në Durrës, aty dua të shkojë vota se deputeti dua të përfaqësojë kërkesën time. Rritje e deputetëve të Tiranës do të shtonte konkurrencën dhe mospërfaqësimin. Kemi shumë deputetë që përfaqësojnë Kukësin dhe jetojnë në Tiranë”, tha Haçkaj.

Një sugjerim e kishte për KQZ duke qenë se procesi nuk do të jetë aspak i lehtë. Sipas tij, KQZ duhet të nisë fushatë ndërgjegjësuese për mënyrën e regjistrimit pasi ka shumë qytetarë në diasporë që nuk kanë njohuri në kompjuter, kryesisht të moshuar.

“Drafti i projekt-vendimit për aktin e parë nënligjor kryesisht merret me regjistrim dhe në përgjithësi është i mirë, ka afate që njerëzit mund t’i mbahen por është ende në diskutim e sipër. Ky nuk do të jetë proces i lehtë, prandaj KQZ e ka për detyrë të ndërmarrë fushatë ndërgjegjësuese dhe njohëse për diasporën se si votohet pasi nuk janë të gjithë të dhënë pas kompjuterit. Ka dhe njerëz më në moshë që nu ki kanë njohuritë. Ky proces i mënyrave të të regjistruarit të jetë i finalizuar deri në shtator të 2023. Nëse zgjedhjet mbahen në 2025 të ketë kohë nga fillimi i 2024, njerëzit të jenë ndërgjegjësuar me këtë process dhe të kenë bërë regjistrimin e tyre”, tha Haçkaj në intervistë për "Sot Live në Shqipëri" nga Andi Kapxhiu.

Kujtojmë se KQZ-ja paraqiti me detaje një propozim se si do të bëhej i mundur ky proces për votimin e emigrantëve. Ky propozim është në fazën e diskutimeve dhe u është dorëzuar deputetëve për ta shqyrtuar. Brenda vjeshtës së vitit 2023 duhet të jetë gati procesi për votimin e emigrantëve nga jashtë vendit e për këtë kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi theksoi më herët se duhet dakordësi e plotë e të gjitha palëve politike. Palët parimisht kanë rënë dakord për votën e emigrantëve, por nuk kanë gjetur gjuhën e përbashkët se si kjo të bëhet realitet.

 

Intervista e plotë