Kristaq Kume, ish-kreu i KQZ-së risjell në vëmendje çështjen e votës së emigrantëve, kur tashmë komisioni i posaçëm parlamentar për reformën zgjedhore ka nisur punën. Kume thekson se politika duhet të trajtojë se çfarë peshe duhet të ketë vota e emigrantëve, dhe jo ta quajë problemin të zgjidhur.

Në emisionin "Sot live në Shqipëri" me gazetarin Andi Kapxhiu në Report Tv, ai tha se fillimisht politika duhet të vendosë për ta shtyrë procesin përpara, e më pas të shqyrtojë nëse kjo votë do të ketë peshë të barabartë me votat e shqiptarëve që jetojnë brenda vendit.

Ai tha se këto specifika duhet të shqyrtohen sipas Kodit të praktikave të Komisionit të Venecias që zbatojnë edhe vendet e tjera europiane.

“Vota e emigrantëve të konsiderohet me fuqi jo të barabartë me atë të shtetasve. Kjo, sidomos për ato shoqëri që kanë një numër të konsiderueshëm emigrantësh. Mund të kufizohet vota kur voton nga jashtë vendit, por jo nëse vjen brenda”, u shpreh Kume.

Kume tha se pavarësisht fuqisë së votës, secili duhet të ketë të drejtë të votojë. Vota e emigrantëve është një çështje e mbetur pezull, pasi pavarësisht se Partia Socialiste dhe Partia Demokratike kanë rënë dakord që emigrantët të votojnë, nuk e kanë shtyrë përpara këtë proces.

KQZ-ja së fundmi duket se do e çojë përpara këtë proces për zgjedhjet e 2025 dhe për këtë ka mbledhur një tryezë në maj jo vetëm me politikën por dhe ambasadorë.

 

 Intervista e plotë e Kristaq Kume në emisionin "Sot live në Shqipëri"