Votat e diasporës pritet të përcaktojnë emrin e presidentit në Moldavi! Kandidati prorus në avantazh me 0,5%

Votat e diasporës pritet të përcaktojnë emrin e presidentit në Moldavi! Kandidati prorus në avantazh me 0,5%

Dy kandidatët për garën presidenciale në Moldavi

Rezultatet preliminare tregojnë për një garë të ngushtë në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale të Moldavisë, në të cilin votuesit kanë zgjedhur mes presidentes aktuale pro-evropiane dhe kandidatit miqësor me Moskën.

Votat nga diaspora pritet të jenë përcaktuese për të shpallur emrin e fituesit.

Me 89 për qind të votave të numëruara, Komisioni Qendror Zgjedhor, ka thënë se Alexandr Stoianoglo ka siguruar 50.5 për qind të votave, në krahasim me presidenten pro-perëndimore, Maia Sandu, me 49.5 për qind të votave.

Udhëheqja fillestare e Stoianoglos sa shkon e ngushtohet dhe besohet se votat nga diaspora mund të jenë në të mirë të Sandus. Qendrat e votimit janë mbyllur në orën 21:00, sipas kohës lokale.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka thënë se mbi 54 për qind e banorëve me të drejtë vote kanë dalë në votime, më shumë sesa në rundin e parë, dhe në zgjedhjet e vitit 2020.

Presidentja aktuale, Maia Sandu e ka fituar rundin e parë të zgjedhjeve, më 20 tetor, me 42 për qind të votave, ndërsa kundërkandidati i saj Alexandr Stoianoglo, ish-Prokuror i Përgjithshëm, ka siguruar 26 për qind të votave.

Ai gëzon mbështetjen e Partisë Socialiste të Moldavisë, parti pro-ruse. Në komentet para gazetarëve pasi ka votuar, Sandu ka thënë se ka votuar “për Moldavinë”.

“Hajnat duan të blejnë votën tonë, duan të blejnë shtetin tonë, mirëpo forca e njerëzve është më e madhe sesa dashakeqësia e tjerëve”, ka thënë ajo.

Këto votime janë mbajtur teksa rriten akuzat për ndërhyrje ruse, si në garën presidenciale, ashtu edhe për referendumin për integrimin potencial të Moldavisë në Bashkimin Evropian – rrugëtim që Sandu e mbështet fort.

Bindjet pro-Bashkimit Evropian kanë dalë të parat në referendumin e mbajtur ditë më parë, ndonëse rezultati ka qenë i ngushtë, me 50.38 për qind e votave pro.

Mirëpo, Sandu është deklaruar shpejt, duke thënë se “grupet kriminale, bashkë me forcat e huaja”, kanë tentuar të blejnë “300.000 vota”, duke e bërë rezultatin përfundimtar shumë të ngjashëm me parashikimet para votimeve.

Moldavia i ka 3.02 milionë votues të regjistruar, përfshirë ata të diasporës. Votuesit në Perëndim është thënë të kenë ndihmuar që në referendum të fitojë qasja pro-Bashkimit Evropian.

Ndonëse pozita e presidentit është goxha ceremoniale në Moldavia, personat që janë në krye të shtetit kanë ndikim të konsiderueshëm politik. Një president mund të shërbejë në këtë vend për dy mandate radhazi. Sandu, 52-vjeçare, është e diplomuar nga universitetin amerikan Harvard dhe ish-punonjëse e Bankës Botërore.

Ajo është bërë gruaja e parë presidente e Moldavisë, më 2020, me zotimet për ta drejtuar vendin kah blloku evropian dhe për të luftuar korrupsionin. Mirëpo, mbështetja për të mund të jetë lëkundur gjatë mandatit të parë, pasi ekonomia është goditur ashpër nga pandemia e koronavirusit, si dhe janë rritur tensionet me Rusinë. Stoianoglo, 57-vjeçar nga Gaguzia – rajon autonom i Moldavisë me sentiment pro-rus – ka qenë Prokuror i Përgjithshëm i Moldavisë në periudhën 2019-2021.

Ai ka bërë fushatë me fokus në sundim të ligjit, ndonëse kritikët kanë thënë se ai ka dështuar që të merret me korrupsion të nivelit të lartë sa ka qenë prokuror. Stoianoglo pretendon se nuk ka lidhje politike, dhe hedh poshtë akuzat se është “njeri i Moskës”. /REL/

A.Q/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?