TIRANË – PDIU-ja e drejtuar nga Shpëtim Idrizi ka sqaruar pozicionin e saj sot lidhur me votat e kërkuara nga mazhoranca qeverisëse  lidhur me votimin e Aktit Normative të ligjit “Për nëpunësin civil”.

Dume mos thënë prerë as po as jo, në një deklaratë për mediat, PDIU ka deklaruar në parim se “PDIU-ja është një parti që në themelin e ekzistencës së saj udhëhiqet, nga parimet kombëtariste, e kësisoj, ne e gjykojmë dialogun, konsensusin dhe gjithëpërfshirjen, si parime bazë që ndihmojnë udhën e Shqipërisë drejt Integrimit Europian dhe sfidën e klasës politike shqiptare, për të vendosur interesin publik përmbi interesin vetjak, si edhe interesin kombëtar përmbi interesin partiak.

PDIU beson se, ligji për Nëpunësin Civil është një nga ligjet që përbënte, jo vetem një nga 12 kriteret e BE, që Shqipëria duhet të plotësonte për meritimin e Statusit Kandidat, por mbi të gjitha një nga shtyllat e kulturës së re të bashkërendimit mes palëve në Shqiperi, ku të gjithë janë të përfshirë  e të gjithë kanë rolin e tyre të rëndësishëm për të kryer,  për procesin e integrimit europian të Shqipërisë.

Edhe takimi i zhvilluar sot, nga Kryetari i PDIU-së z. Shpëtim Idrizi ka qenë I bazuar në këtë frymë e vizion, për të kërkuar që klasa politike shqiptare të jetë e përgjegjshme,  për të ndërtuar një klimë të re të dialogut, konsensusit dhe gjithëpërfshirjes.

Kryetari Idrizi gjykon se Kryeministri Rama dhe Kryetari I PD-së z. Basha duhet të mos e humbasin momentin dhe shpërdorojnë shansin që ka Shqipëria, për të merituar në muajin dhjetor,  Statusin e Vendit Kandidat për në BE.

Kryetari Idrizi inkurajon dhe u bën thirrje dy liderave të dy partive të mëdha,  që të gjejnë rrugën e dialogut dhe bashkërendimit për të mirën e Shqipërisë dhe Integrimit Europian,”- përfundon deklarata.

Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)