Votohet dekriminalizimi 
Ligji hyn në fuqi menjëherë

Votohet dekriminalizimi <br />Ligji hyn në fuqi menjëherë
TIRANE - Kuvendi i Shqipërisë miratoi me votat e përbashkëta të opozitës dhe mazhorancës ligjin për dekriminalizimin dhe  ndryshimet kushtetuese të nevojshme për zbatimin e këtij ligji të rëndësishëm. Me 131 vota pro deputetët votuan nenet e këtij ligji që pengon futjen në politikë dhe në administratën publike të pesonave të dënuar. Ky ligj hyn në fuqi menjëherë. Ishte kryetari i Kuvendit Ilir Meta i cili në nisje të votimit tha se Presidenti ka dekretuar hyrjen në fuqi menjëherë të ligjit për dekriminalizimin e Kuvendit dhe administratës.

Deputetët rrëzuan amendamentin e deputetit të Partisë Demokratike Oerd Bylykbashi i cili kërkonte që personat që janë apo duan të behen pjesë e politikës t'i nënshtroheshin testit të drogës. Po ashtu u rrëzuan edhe dy amendamente të deputetes së pavarur Mesila Doda dhe kreut të PDIU-së Shpëtim Idrizi që të përjashtohen nga funksionarët publik edhe ish-sigurimsat.

Drafti, një version konsensual i projektligjit të ardhur nga qeveria dhe atij të propozuar nga opozita, synon të garantojë integritetin e personave që zgjidhen, emërohen apo ushtrojnë funksione publike, përmes dekriminalizimit të organeve të zgjedhura. Më herët 131 deputetë të Kuvendit kanë votuar pro paketës së ndryshimeve kushtetuese, e hartuar në funksion të ligjit të dekriminalizimit, që parashikon kategoritë e zyrtarëve që nuk mund të zgjidhen në poste të larta ose që duhet të lënë mandatet në rast se kanë kryer shkelje në të kaluarën

Një nga nenet e paketës ligjore që përfshin ndryshimin e nenit 179 të Kushtetutës përcakton se deri në 3 muaj nga hyrja në fuqi e ligjit, titullarit të institucionit publik dhe vetë personave që preken nga ligji, u lihet kohë që të verifikojnë pastërtinë e tyre. “Funksionarët e organeve të parashikuara në Kushtetutë dhe subjektet e ligjit të posaçëm që rregullon garantimin e integritetit të personave, që janë në detyrë në momentin e hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë të detyruar të përmbushin detyrimet e përcaktuara në atë ligj, brenda 3 muajve nga hyja në fuqi e tij”, thuhet në nenin 4 të pr/ligjit.

Amendamentet detyrojnë gjithashtu titullarët e institucioneve ku konstatohet se ndodhen individë me të kaluar kriminale, që brenda 5 ditëve të shpallin të pavlefshëm mandatin ose të nxjerrin aktin e shkarkimit të tyre. “Funksionarët publikë që janë emëruar në detyrë përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji dhe që ushtrojnë funksionin e tyre me ose pa mandat, shkarkohen menjëherë nga detyra nëse konstatohet se përfshihen në rrethin e subjekteve që janë të përjashtuara sipas ligjit të posaçëm nga e drejta për t’u zgjedhur, emëruar apo për të mbajtur një funksion publik. Organi përgjegjës është i detyruar të nxjerrë aktin e shkarkimit nga detyra brenda 5 ditëve nga përfundimi i rezultateve të verifikimit”, thuhet në amendamentet e ndryshuara. 


Amendamentet e Dodës dhe Idrizit nuk miratohen
 
Amendamenti 1
50 pro
64 kundër nuk miratohet
 
Amendamenti 2
53 pro
59 kundër
13 abstenim 

Doda pas rrëzimit të amendamentit: Ju përshëndes të gjithëve për hiprokrizinë, e treguat me vontë se sa të ndarë jeni nga e kaluara. 

Miratohet buxheti i shtetit 2016
Me 85 vota pro u votua buxheti i shtetit për vitin 2016. Buxheti mori 27 vota kundër dhe 1 abstenim. Gjatë votimit të buxhetit u larguan nga salla e Kuvendit një pjesë e deputetëve të djathtë, ku nuk ishte i pranishëm as ish-kryeministri Sali Berisha. 

Votohet Ligji “Për vetëqeverisjen vendore”
Me 86 vota pro dhe 42 kundër deputetët votuan ligjin për vetëqeverisjen vendore. Sipas këtij ligji kryebashkiakët kanë të drejtën e 3 mandateve të njëpashnjëshme plus një mandat të katërt pas një kohe shkëputje. Deputetët rrëzuan amendamentin e deputetit Bashkim Fino i cili kërkoi që kryetarët e Bashkive të kenë 2 mandate plus një me shkëputje. Ky amendament nuk mundi të marrë 84 votat e nevojshme. 

PD - PDIU - LSI pro amendamentit te Finos  
75 pro
37 kundër
2 abstenim
 
Nuk rritet akciza e birrës
Akciza për birrën që prodhohet në vend, nuk do të rritet sic ishte parashikuar në akcizën për pijet - pjesë e paketës fiskale. Me 81 vota pro është miratuar amendamenti i deputetit të LSI-së Përparim Spahiu për të mos ndryshuar akcizën e birrës. 
 
Bode: 430 milionë dollar mungojnë në buxhet nga mbledhja e taksave
Në fjalën e mbajtur në Kuvend, ish-ministri i Financave, Ridvan Bode deklaroi se buxhetit të shtetit për vitin 2015 i mungojnë 430 milionë dollarë, që duhet të mblidheshin nga rritja e taksave dhe rritja ekonomike.

“Qeveria vendosi 430 milionë dollarë taksa shtesë për qytetarët. Por çfarë ndodhi? Nga këto taksa që kjo qeveri gostiti shqiptarët, 90 përqind e tyre janë taksa që paguhen nga qytetarët dhe vetëm 10 përqind taksa të shtuara për bizneset. Kemi të bëjmë jo thjeshtë me një pamundësi për të paguar taksat, por edhe me rritje të evazionit fiskal. Duhet të kishim edhe 160 milionë dollarë taksa të reja, por efekti i tyre do të jetë i shuar pasi në fund të 2015 në buxhet do të ketë të njëjtin vëllim të ardhurash. Ne në korrik ulëm programin e të ardhurave të qeverisë me 230 mln dollarë dhe tani vijmë që kemi edhe 200 mln dollarë deri në fund të vitit taksa më pak që duhet të vinin nga rritja ekonomike. Edhe për vitin 2016 programohet që të ketë një rritje taksash dhe të ardhurash që nuk do të vijë”, tha Bode.

Ish-ministri demokrat qortoi masat e zgjedhura nga qeveria dhe mazhoranca aktuale për të mbledhur të ardhurat. Ai tha se efekti i këtyre masave do të jetë i kundërt me ato të parashikuara nga qeveria.

“Qeveria, në vend që të aplikonte një politikë më miqësore dhe jo me fushata policore, vijon të këmbëngulë përmes dhunës dhe rritjes së taksave dhe presionit se do t’ia dalë të mbledhë në 2016 ato që humbën në për këtë vit. Rritja e presionit dhe dhunës mbi biznesin dhe qytetarët nuk do të sjellë gjë tjetër veçse humbje të mëtejshme të kapaciteteve që ka vendi për të investuar dhe punësuar”, u shpreh ai.

Lidhur me projektbuxhetin, Bode tha se investimet publike të qeverisë parashikohen në minimumin historik dhe se gjysma e buxhetit, sipas tij, shkon për shpenzime luksi të qeverisë.

“4 përqind nuk ka ndodhur asnjëherë më parë në qeverisjen qendrore. Asnjëherë nuk kanë qenë në këto nivele, ndërkohë 50 përqind, si asnjëherë tjetër shkojnë për shpenzime administrative”, deklaroi Bode.
 
Për ish-ministrin e qeverisë Berisha e ardhmja e ekonomisë së vendit nuk premton asgjë dhe se vetmja që nuk e sheh këtë është qeveria.
“Perspektiva është e zymtë. Indeksi i konsumit ka rënë me 6 përqind në krahasim me një vit më parë. Të gjithë e shohin, por kjo qeveri në mënyrë krenariste thotë që vijojmë të rrisim ekonominë. Ky ligj nëse do të kishte një farë efekti zbutës, duhet të ishte ndryshe. Për këtë arsye jemi kundër këtij projektligji të qeverisë”, deklaroi Bode.

Projektligji për vendorët, Fino: Siguron decentralizimin
Në emër të grupit parlamentar socialist, Bashkim Fino mbrojti projektligjin për vetëqeverisjen vendore, duke deklaruar se ai garanton një decentralizim më të thellë.

“56 është numri i funksioneve të kompetencavce për kryetarët e bashkive, nga 39 që ishin. Pra kemi një decentralizim më të thellë të pushtetit nga niveli qendror tek ai vendor”, tha Fino.

Deputeti socialist kundërshtoi akuzat e Partisë Demokratike, duke u shprehur se hartimi i projektligjit është bërë në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë dhe pas një sërë tryezash konsultuese me publikun dhe të zgjedhurit vendorë. 

“Për të konsoliduar cilësinë e një projektligji vendorë, përdoren dy standarde; së pari procedura dhe shqyrtimi dhe së dyti cilësia e përmbajtjes. Projektligji u hartua në bashkëpunim me USAID, KiE dhe OSBE. Këta mbështetën ligjin me dy ekspertë. Projektligji iu nënshtrua një procesi të gjerë publik ku u organizuan 5 tryeza rajonale me përfaqësues shoqatash të zgjedhurish vendorë”, tha Fino.

Bregu:Buxheti 2016 i dështuar, por nuk di ta shpjegoj me terma fiskale 
Deputetja e Partisë Demokratike Majlinda Bregu gjatë fjalës së saj në Kuvend ka kritikuar buxhetin e vitit 2016 duke e cilësuar si buxhetin më të dështuar. Duke listuar disa nga arsyet pse buxheti i hartuar nga qeveria është një dështim, Bregu tha se nuk mundet të flasë me terma fiskal pasi "nuk i ka të qartë".

Jepni shifra të sakta se janë punësuar në këto vite dhe jo sa zyra pune keni hapur. Tregoni sa keni mundësi të punësoni, mos nxirrni listat sesa vetë keni pushuar nga puna”, -tha ish-ministrja e Integrimit.

Gjithashtu deputetja e PD-së ka folur edhe rreth protestës së zhvilluar duke i cilësuar protestuesit si të vetmit që dinë të vërtetën rreth qeverisë.
 
Redaksia Online
(Gre.M/S.M/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Durrës/ Makineria e duraluminit i mori jetën punëtorit 50-vjeçar, zbardhet dinamika! Ja çfarë e shkaktoi aksidentin

Durrës/ Makineria e duraluminit i mori jetën punëtorit 50-vjeçar, zbardhet dinamika! Ja çfarë e shkaktoi aksidentin