TIRANE- Gjykata e Tiranës ka pranuar kërkesën e Prokurorisë së Kurbinit për shpalljen fajtor të vëllezërve Shkreta për akuzën e vrasjes së E. Llanit. Burg përjetë ka dhënë Gjykata për Altin Shkretën, ndërsa për të vëllanë, Albanin, ka rezervuar 25 vite burg.
 
Dy vëllezërit Altin dhe Alban Shkreta akuzohen për vrasjen e djalit të mitur të Jetmir Llanit, E. Llani, ngjarje e ndodhur në një pritë të armatosur në 5 qershor të vitit 2012.
 
Vëllezërit Shkreta i kanë zënë pritë makinës së Muharrem Llanit, teksa plumbat i kanë marrë jetën nipit të mitur të këtij të fundit, ndërsa mbeti i plagosur edhe Muharrem Llani.
 
Sipas Prokurorisë prita e 5 qershorit erdhi pas një debati të një ditë më parë mes anëtarëve të familjes Shkreta dhe Llani.
 
Në vijim të këtij krimi, në nëntor 2012, shtetasit, Jetmir Llani, dhe Muharrem Llani, në shenjë hakmarrje, kanë vrarë shtetasin Arjan Shkreta dhe kanë plagosur rëndë shtetasin Leli Shkreta.
 
Ndaj dy të pandehurve Llani, në Gjykatën e Tiranës pak javë më parë Prokuroria kërkoi dënimin me 25 vjet burgim për këtë ngjarje. Aktualisht, procesi kundër shtetasve Jetmir dhe Muharrem Llani është në fazën e dhënies së vendimit nga Gjykata.
 
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)