KAVAJË- “Pse me sheh ashtu”, e pyeti Armand Gosa personin me të cilin sa herë takohej e thoshte ‘malok ikni nga keni ardhur’.

Tjetri ishte Sali Rexha, që mesa duket donte t’i jepte fund fyerjeve, dhe e sulmon me thikë. Gosa i njohur si pjesëtar i një fisi të fortë në Kavajë, nxori pistoletën dhe shtiu me Rexhën, fëmija e të cilit vetëm pak minuta më parë ishte futur në dyqan. Të dy vdiqën në vend. Fqinja e Rexhës tregoi momentin, kur djali pa të atin të gjakosur në mes të rrugës.

“Ishte njeri i mirë, nga Kukësi, vetëm punonte dhe mbante familjen, tha ajo.

Armand Gosa, që më herët njihej me emrin Edmond dhe Sali Rexha, me emrin Altin, debatonin shpesh për motive krahinore, debati më i fundit 3 ditë para ngjarjes së rëndë. 

Gosa nga Kavaja nuk dihet pse kishte inate me Rexhën nga Kukësi. Dhe sipas tij asnjë verior nuk kishte punë në Kavajë. Të mërkurën pasdite të dy u takuan rastësisht në një lokal. Mjaftuan vetëm 3 minuta që debati të përfundonte tragjikisht . Pranë lokalit Saliu kishte shtëpinë  me qira, kurse Gosa nuk jetonte fare aty. Nuk dihet nëse prania e tij pranë banesës së Rexhës ishte me motive të qarta sherri.

Policia ka përfunduar veprimet paraprake dhe rezulton se nuk ka persona të tjerë të përfshirë në konflikt. Të dy viktimat rezultojnë me precedent penal, kavajasi Gosa për vrasjen e Genti Gjuzit disa vite më parë pasi e goditi me kazmë në sherrin që nisi për një vajzë. Vrasja e dyfishtë u regjistrua pasditen e të mërkurës dhe ka qenë Gosa që ka plagosur fillimisht me thikë Rexhën dhe më pas ky i fundit i është kundërpërgjigjur me armë.