Vrasja e 14-vjeçarit Martin Cani, reagon dhe AMA: Mediat të shmangin identifikimet e fëmijëve apo intervistimin e tyre me detyrim dhe pa leje! Po ju vëzhgojmë, ja 6 kriteret

Vrasja e 14-vjeçarit Martin Cani, reagon dhe AMA: Mediat të shmangin identifikimet e fëmijëve apo intervistimin e tyre me detyrim dhe pa leje! Po ju vëzhgojmë, ja 6 kriteret

Armela Krasniqi, kryetare e AMA-s

Tiranë- Ngjarja e rëndë e ndodhur dy ditë më parë në Tiranë, ku 14-vjeçari Martin Cani u vra me thikë pas një sherri në shkollën “Fan Noli” nga një bashkëmoshatar i tij, ka tronditur opinionin publik dhe jo vetëm.

Edhe Autoriteti i Medias Audiovizive ka reaguar sot (20 nëntor), teksa një fushatë sensibilizimi për bullizmin dhe mediat sociale, me qëllim ndërgjegjësimin dhe vendosjen e rregullave për të parandaluar dukuri të tjera kriminale në shkolla, është hedhur nga kryeministri Edi Rama.

AMA thekson se do e mbajë situatën nën monitorim dhe do të ketë adresime në raste kur ka shkelje, duke dhënë edhe disa këshilla në lidhje me intervistimin e fëmijëve për ngjarjen e rëndë, për më tepër pa lejen e prindërve dhe psikologëve, si dhe shmangiet e komenteve apo presionit psikologjik.

“Ngjarja e rëndë, që tronditi Tiranën, ditën e hënë, më 18.11.2024, si pasojë e së cilës humbi jetën një 14-vjeçar, vazhdon të preokupojë me përparësi të gjitha mediat audiovizive, të cilat vijojnë t’i kushtojnë vëmendje, burime dhe kohë televizive si zbulimit të aspekteve të panjohura të dinamikës së ngjarjeve ashtu edhe kërkimit të shkaqeve, që e shtynë grupin e adoshelentëve drejt dhunës”, thuhet në reagimin e Autoritetit.

Më tej kërkohet profesionalizëm edhe nga ana e mediave në trajtimin e ngjarjes, rrethanave apo detajeve që kanë ndjeshmëri.

“Ndjeshmëria e lartë mbarëshoqërore për ngjarjen, përbën motiv të mjaftueshëm angazhimi edhe për profesionistët e medias në përgjithësi dhe asaj audiovizive në veçanti, të cilët informojnë për të gjatë gjithë ditës në të gjitha ekranet, duke ndihmuar sqarimin e rrethanave të ngjarjes paralelisht me hetimin e organeve ligjzbatuese. Në kushtet, kur ngjarja është këto ditë kryefjala e secilit prind dhe secilës familje, e përditshmja profesionale e medias kurrsesi s’duhet të lërë jashtë vëmendjes efektin, që prania e vazhdueshme e ekipeve të xhirimit në mjediset pranë shkollës 9-vjeçare “Fan Noli” ka mbi fëmijët dhe prindërit e shkollës”, theksohet më tej.

Në këtë kuadër, institucioni shpjegon se një numër i madh prindërish janë drejtuar për ndihmë, pasi ndjejnë presionin nga prania e mediave afër shkollës dhe përpjekjet për t’i intervistuar.

“Autoritetit të Mediave Audiovizive i janë drejtuar për ndihmë gjatë ditës së sotme një numër i konsiderueshëm prindërish, të cilët e ndiejnë veten të pafuqishëm të mbrojnë fëmijët e tyre nga presioni, që prania e mediave dhe përpjekja për të intervistuar fëmijët prodhon, presion që i shtohet gjendjes së tyre psikologjike, gjithsesi të rënduar nga trauma”, thotë AMA.

Në këto kushte, Autoriteti u drejtohet mediave, për “t’ju rikujtuar detyrimet  e rrjedhura prej ligjit 97/2013, “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë” i ndryshuar, Kodit të Transmetimit dhe akteve të tjera nënligjore në fuqi, në emër të INTERESIT MË TË LARTË TË FËMIJËS”.

Reagimi dhe këshillat e AMA-s për mediat:

“Të nderuar kolegë!

 -Shmangni raportimet me identifikim të fëmijës, të përfshirë në një ngjarje të rëndë!

 -Siguroni pëlqimin e prindit ose kujdestarit të fëmijës për intervistimin e fëmijës nën moshën 14 vjeç!

 -Respektoni të drejtën e fëmijës dhe përfaqësuesit ligjor për të refuzuar intervistimin!

-Mos e intervistoni fëmijën kundër dëshirës së tij!

-Shmangni pyetjet ose komentet, që dëmtojnë fëmijën ose që i risjellin ndërmend ngjarjet e rënda për të!

-Mos e shfrytëzoni ngjarjen në këndvështrim sensacional, duke shpërfillur vuajtjen dhimbjen, ndjenjat dhe dinjitetin e të prekurve!

 Autoriteti i Mediave Audiovizive, do të vijojë ta mbajë situatën nën vëzhgim, duke shqyrtuar çdo rast të mosrespektimit të kërkesave ligjore, duke ua adresuar ato redaksive përkatëse dhe duke reaguar përputhur legjislacionit në fuqi.

Pritshmëria e Autoritetit është pasqyrimi sa profesional aq edhe etik i ngjarjes, në respekt të dhimbjes, ndjenjave dhe dinjitetit të të prekurve.
Autoriteti i Mediave Audiovizive”.

A.Q/I.M/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kazakistan/ Rrëzohet avioni me të paktën 70 pasagjerë në bord! 6 të mbijetuar

Kazakistan/ Rrëzohet avioni me të paktën 70 pasagjerë në bord! 6 të mbijetuar