TIRANË- Ish-drejtuesi i Policisë, Arjan Hoxha në një lidhje për Report Tv ka përcaktuar dy provat që do të shërbejnë për të kuptuar nëse në vrasjen e të 25-vjeçarit Klodjan Rasha, efektivi i policisë ka kryer detyrën apo jo. E para, tha Hoxha, duhet parë nëse në armën e sekuestruar ka gjurmë të viktimës dhe së dyti duhet të kqyret trupi i të riu, drejtimi nga i ka marrë plumbat.

"Dy janë provat që do të na çojnë në zbardhjen, e para në armën që mund të jetë sekuestruar nga policisë duhet të nëse ka gjurmë të dorës së viktimës, që fakton që ka pasur armën me vete. Së dyti nga kqyrja e kufomës, nëse rezulton se plumbat janë nga para-pas, nëse janë nga pas punonjësi ka qenë në kapërcim të mbrojtjes së kushteve të nevojshme.  Këto dy prova do ta ndajnë përgjegjësinë apo jo të policit", tha Hoxha.

Ai ka theksuar se mjafton që dikush t'i drejtojë armën policisë në kërcënim e sipër, siç është raportuar të ketë ndodhur në rastin e 25-vjeçarit Klodjan Rasha,  atëherë polici mund të hap zjarr pa paralajmërim. Kjo sepse sipas Hoxhës, një efektiv policie nuk mund të analizojë në ato momente nëse ajo është një armë zjarri lodër apo e vërtetë.  

"Punonjësi i policisë nëse një individ paraqet rrezikshmëri, në rastin konkret dyshohet se ka pasur armë zjarri, e rëndësishme është që viktima duhet të kishte zhvilluar një sulm, sulm është që nga momenti kur nxjerr armën nga brezi, ndaj policisë ose personave të tjerë. Nëse i ka drejtuar armën dhe punonjësi ka hapur zjarr në momentin që sulmi i viktimës nuk ka përfunduar, atëherë punonjësi ka qenë brenda kushteve të mbrojtjes së nevojshme, se në ato momente nuk ka mundësi ta verifikojë nëse është armë e vërtetë apo lodrës. Në atë moment, polici mund të hap zjarr direkt pa paralajmërim", tha Hoxha.

Hoxha u ndal të komentonte edhe vrasjen ish-drejtorin e Bankës, Artan Santo në zonën e Bllokut, ku një efektiv policie u pezullua nga detyra për mosveprim. Për Hoxhën, edhe ai do të kishte vepruar njëjtë, dhe për këtë dha argumente.

"Dhe unë po të isha te ai polici, nuk do hapja zjarr në gjithë atë zonë të banuar, se mund të kishte pasoja te kalimtarë të zjarrit dhe një punonjës policie nuk mund të hap zjarr ndaj dy autorëve, por mund ta ndiqte pas motorin", tha Hoxha.