Pas atentatit të së mërkurës mbrëma ku ndaj lokalit të Agron Çapes u qëlluan 65 plumba kallashnikovi, policia dhe grupi hetimor nuk kanë mundur të zbardhin autorët nga tre kamerat e sigurisë së lokalit.
Kjo, sqarojnë hetuesit pasi në momentin e atentatit, kamerat kanë një shkëputje të regjistrimit dhe ajo që dallohet janë vetëm flakët e plumbave.
Një burim i rezervuar nga grupi hetimor i tha ReportTv se aktualisht është bërë një plan masash për të kontrolluar deri në mes të javës së ardhshme të gjitha serviset, garazhdet dhe parkimet e ndodhura në Elbasan, Librazhd dhe zonat përrreth ku dyshohet se autorët kanë fshehur automjetin.
Një tjetër rezultat që po pret grupi i hetuesve për të zbardhur këtë krim është dhe ekspertiza balistike e 3 armëve kallashnikov për të parë nese janë përdorur apo jo në ngjarje kriminale të mëparshme.
Mbrëmjen e së mërkurës në Elbasan u shënua një masakër e vërtetë ku ndaj 11 personave u qëllua me armë kallashnikov si pasojë e të cilave mbeti i vdekur Agron Capja, Ardit Sinakolli dhe Eno Bedalli.
Nga dëshmitë e mbledhura deri në këtë fazë të hetimit rezulton se të plagosurit kanë deklaruar për policinë të njëjtën përgjigje duke thënë se nuk i kanë fiksuar autorët pasi ata janë afruar me automjet me drita të fikura.
Masakra, sqaron Policia e Elbasanit mund të ishte më e rëndë nëse karikatori i gjetur me mbi 40 fishek të pa përdorur do kish qëlluar sërish mbi Çapjat.
Redaksia Online
(u.s/shqiptarja.com)