Egli Pashollari 31 vjeç mbeti i vrarë ditën e djeshme i qëlluar me thikë pas shpine. Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 15:40 në rrugën “Kongresi i Lushnjës” pranë zonës së njohur si ish-Parku. Autor i ngjarjes është Gazment Buçpapaj, i shpallur në kërkim dhe sipas dëshmisë së gruas së tij, arsye e konfliktit ka qenë bllokimi i rrugës.

Pashollari është konfliktuar me Buçpapajn, i cili ka qenë i shoqëruar nga gruaja e tij. E pyetur në polici, ajo ka thënë se bashkëshorti i saj kishte shkuar për ta marrë në punë pasi punonte menaxhere në një market në zonën e ish-Parkut dhe për ta çuar për një vizitë mjekësore. Pasi ka hipur në makinë, rruga ishte bllokuar nga makina e viktimës. Dëshmia e saj hedh poshtë dyshimet e para të policisë që sherri mund të ketë nisur për shkak se viktima kishte ngacmuar gruan e autorit.

Gazment Buçpapaj i ka rënë borisë për t'i hapur rrugën, por sipas saj, viktima ka dalë nga mjeti dhe i ka sharë dhe ofenduar. Fill pas kësaj, autori i cili është ende në kërkim nga policia ka dalë nga makina dhe është përfshirë në koflikt fizik me Pashollarin ku e goditi këtë të fundit me thikë duke i shkaktuar plagë të rëndë me pasoja për jetën.