Pas vrasjes së 3-fishtë në Tiranë, PD-ja e Berishës kërkon dorëheqjen e ministrit të Brendshëm, Bledi Çuçi. Nëpërmjet ish deputetit, Klevis Balliu, sipas tyre, Çuçi duhet të mbajë përgjegjësi, e ndërsa një mesazh e ka dhe për gjykatat.
"Një vrasje e trefishtë ka tronditur sot kryeqytetin dhe Shqipërinë. Në emër të Partisë Demokratike u shpreh ngushëllime familjeve të viktimave dhe u uroj shërim të shpejtë të lënduarve.
Gjithashtu u bëj thirrje qytetarëve të kenë kujdes, duke qenë se policia ende nuk ka arritur ta lokalizojë apo neutralizojë autorin e dyshuar të masakrës së Paskuqanit dhe Astirit.
Inkurajohen qytetarët që, gjithashtu të ndihmojnë policinë me çdo informacion për kapjen e autorit të dyshuar, duke treguar kujdes për jetën e tyre dhe të afërmve.Këtë kujdes që u kërkohet qytetarëve, me sa duket nuk e kanë patur për asnjë çast parasysh institucionet që janë ngritur, paguhen dhe janë përgjegjës me kushtetutë për mbrojtjen e sigurisë dhe jetës së qytetarëve shqiptarë.
Autori i dyshuar Hutra është liruar nga arresti me burg, dhe gjykatat në reagimet e tyre nxitojnë në të heqin fajin nga vetja.
Pyetja dramatike mbetet: kush dhe pse e liroi nga qelia një person qartësisht të rrezikshëm, i cili jo vetëm kishte vrarë bashkëshorten e pare, por kishte kërcënuar jetën edhe të bashkëjetueses.
Një kërcënues serial i jetës së të tjerëve, një i dënuar me burgim për vrasje, është sot një feminicid, i pari i këtij lloji ndoshta në historinë e Shqipërisë.
Te ky vrasës serial femrash, fatkeqësisht ka gisht sistemi i kalbur i ligjvënies në Shqipëri. Një pakujdesi fatale, një verbëri c’njerëzore ose një korrupsion trashanik i drejtësisë sonë me një këmbë na varr, ka cuar drejt varrit tri gra të pafajshme.
Partia Demokratike kërkon marrje dhe mbajtje përgjegjësish. Gratë dhe vajzat e Shqipërisë nuk mund të vriten rrugëve.
Shteti duhet të kontrollojë territorin dhe të bëjë zap kriminalitetin, ose të hapë rrugën!
Ministri i Rendit pa rend duhet të japë dorëheqjen!
Gjykatat duhet të kuptojnë se vendimet e tyre shpëtojnë ose kushtojnë jetë, ose të dorëzojnë togat!Kaq shumë herë dëgjojmë që vrasësit kanë ikur në drejtim të paditur, por fatkeqësisht jemi në pikën kur duket se Shqipëria po ikën në drejtim të paditur", njofton PD.
Lajmi kryesor: