Almiri i vogël humbi jetën pas një konflikti banal të babait të tij me maqedonasin Iliç. Agresori ka përplasur pamëshirshëm me makinë 4-vjeçarin dhe familjen e tij. Prindërit e vogëlushit, arritën t’i mbijetojnë kësaj goditjeje, por fuqia e Almirit, nuk mjaftoi për t’i bërë ballë plagëve që i mori nga kjo goditje. Dëshmitarët thonë se gjithçka ndodhi me paramendim, dhe të shokuar rrëfejnë tmerrin që kanë përjetuar pas rastit të ndodhur.
 
Të ngasë njeriu rrugëve e të shkelë njerëz, nuk e di. Ja shikoje në qosh aty si e ka mbështetur, unë kam qarë, fëmijen e kam dëgjuar duke qarë e bërtitur, akoma ndoshta ishte akoma i nxehtë. A e di si e ka përplasur, unë i kam kamerat...Sikur të ishte fëmija im, edhe kjo nuk ka ndodhur pa dashje, ky e bëri me qëllim. Ai ka kërkur njerëzit që t’i mbysë dhe kur i ka parë aty babain nënën dhe fëmijët i ka përplasur me makinë’’ thotë një qytetar për Tv Shenja.
 
Familjarët po e përgatisnin Almirin për në banesën e tij të fundit të mbështetur nga familjarët e tjerë, për ta përballuar dhimbjen. Të shokuar e të mbetur pa fjalë, gjithçka që dëshirojnë ata për momentin, është që Zoti ta shpërblejë me parajsë Almirin. “Të mbysësh fëmijën e vogël katër vjeç që as në Siri nëpër vende ku bëhet lufta gjëra të tilla nuk ndodhin e lere më në vende që i themi demokratike. S’kam çfarë të them, fëmija i vogël… vetëm Allahi ta shpërbleftë, s’kemi çfarë të bëjmë”, thotë një familjar.

Ndërkaq, aktivisti Faton Memedi, tha se kjo ngjarje është vazhdimësi e fatit të zi që e ka mbuluar Kumanovën që nga 9 maji i vitit të kaluar, ai akuzon mungesën e shtetit ligjor, si një ndër arsyet që lejohen të ndodhin gjëra të tilla. “Jemi në shok se ka humbur jetën një fëmijë katër vjeçar, jemi në shok se deri te ai konflikt është arritur për arsye banale, jemi në shok se nuk mundet që një person normal të reagojë për një konflikt verbal mbi një grumbull të njerëzve në rrugë që t’i shkelë me makinë. Presim që organet kompetente ta kryejnë punën e tyre, se një ndër arsyet pse kemi problem të tilla është mungesa e shtetit ligjor”, tha aktivisti Faton Memedi.

Qytetarët rrëfejnë se ky nuk është rasti i vetëm i këtij lloji. Ata thonë se Kumanova është krejtësisht e pa mbrojtur dhe se politikanët nuk i kryejnë detyrimet e tyre. Gjykata Themelore e Kumanovës i ka caktuar 30 ditë paraburgim maqedonasit Bojan Iliç, i cili të shtunën në mbrëmje sulmoi me makinë familjen Aliu, duke lënë të vdekur fëmijën e tyre 4-vjeçar.
 
Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com