VLORË- Me tensione u zhvillua protesta në burgun e Vlorës ditën e sotme mes familjarëve të Mateo Vasiut dhe efektivëve të policisë. Me dhimbjen e madhe për humbjen e djalit, nëna e 8-vjeçarit ka tentuar të kalojë hekurat rrethues të burgut, ku ndodhet i izoluar vrasësi Klodian Çalamani, teksa kishte një thirrje për policët duke iu thënë atyre që mos të fshehin kriminelin.

“Dua të vërtetën. Dua drejtësi për atë kriminel të mallkuar. I poshtri. Duam të dimë pse e vrau. Duam drejtësi. Duam të dimë të vërtetën se pse e vrau një fëmijë 8-vjeç. Mos na e fshihni kriminelin. Ju mbani kriminelin një kriminel. Për ça e mbani në izolim?! Të vijë të flasë këtu me ne”, tha nëna.

Efektivët e policisë rrethuan gardhin rrethues, pasi dhjetëra të afërm kërkuan hapjen e derës, teksa të acaruar filluan të gjuanin me gurë në drejtim të godinës. Një përplasje fizike ndodhi mes policëve dhe nënës së 8-vjeçarit, pasi kjo e fundit u përpoq të kalonte kangjellat rrethues të burgut, por pasi u has me kundërshtimin e efektivit ajo i mori radion dhe ia përplasi në tokë.

Me pankarta në duar 'Drejtësi për Mateon' të afërmit, por edhe qytetarë të thjeshtë pas protestës para burgut, marshuan për në qytetin e Vlorës, ku për rreth 30 minuta bllokuan rrugën në zonën e Skelës duke shkaktuar kaos në trafik.Pas kësaj ata u zhvendosën në zonën e Lungomares nga ku nëna e Matos bëri edhe njëherë thirrje për të varur në mes të qytetit vrasës e fëmijës së saj.

Kujtojmë që nga frika e një sulmi në burgun e Fierit. Klodian Çalamani ndodhet në qelinë e izolimit në paraburgimin e Vlorës. Pas trazirave në Fier, Çalamanit iu dha masa 'arrest me burg' në mungesë, pasi të afërmit e 8-vjeçarit mësyn në Gjykatën e Fierit.

Pas vrasjes makabre të 8-vjeçarit Mateo Vasiu më 16 nëntor nga Klodian Çalamani, e cili e goditi dy herë më kazmë pas koke dhe e groposi në shtëpinë e tij, qytetarët e revoltuar kanë nisur fimosjen e një peticioni në të gjithë qytetin ku kërkojnë rikthimin e dënimit me varje

Si ndodhi ngjarja?
Ka qenë nëna e të miturit, Florida e cila në orën 15:30 ka bërë denoncimin në polici, pasi djali i saj ishte zhdukur dhe për të nuk kishte asnjë gjurmë. Pas denoncimit, efektivët e policisë kanë nisur hetimet dhe nga kamerat e sigurisë u zbulua se komunikimi i fundit i të miturit ka qenë me Çalamanin, fqinji i tij. Nisur nga kjo, efektivët i kanë shkuar në banesë, ku i riu është parë i shqetësuar, ç'ka ka ngritur dyshimet e Policisë, e për pasojë është shoqëruar në Komisariat.

Gjatë marrjes në pyetje, ai është dorëzuar dhe ka pranuar krimin monstruoz, ku përveç se e kishte vrarë, edhe e kishte groposur në oborrin e shtëpisë. Efektivët janë rikthyer edhe një herë në banesën e të riut dhe aty kanë gjetur trupin e pajetë të 8-vjeçarit të mbuluar me baltë. I mituri është goditur barbarisht 2 herë me lopatë pas koke, goditje këto që kanë rezultuar fatale duke i marrë jetën 8-vjeçarit. Motivet e këtij krimi mbeten ende mister, se çfarë mund ta kenë shtyrë 38-vjeçarin të vrasë një fëmijë vetëm 8-vjeç.

Kush është Klodian Çalamani?
Klodian Çalamani në 2006 është autor i një tjetër pengmarrjeje. Ai së bashku me shokun e tij, Florian Vasiu, 25 vjeç, nga fshati Grecalli kanë marrë peng një vajzë, atëherë 16-vjeçare. Shoku Florian Vasiu pëlqente vajzën, por ajo nuk i përgjigjej kësaj ndenje, pasi ishte e lidhur me dikë tjetër. Pikërisht i dashuri i saj ka ndaluar të rinjtë dhe i kanë thënë që të mos e bezdisnin më vajzën.

Ky veprim i të dashurit të vajzës ka acaruar të Çalamanin dhe Vasiun, të cilët e kanë marrë peng dhe e kanë torturuar për 20 minuta, duke e kërcënuar se do i shëmtonin pjesë të ndryshme të trupit, më konkretisht gjoksin duke ia prerë me biçak.

Nga hetimet e Prokurorisë së Fierit ka rezultuar se për të arritur qëllimin e tyre, Klodiani ka kërcënuar edhe motrën e tij, E. Çalamani, e cila është përdorur për të futur në kurth adoleshenten. Asokohe, dy të rinjtë u dënuan nga Gjykata e Fierit, me nga katër vjet burgim për veprën penale të heqjes së lirisë të kryer në bashkëpunim, bazuar në nenin 110/2 të Kodit Penal. Ai u lirua nga burgu i Rrogozhinës me datë 06.08.2009

Lidhja që kishte fëmija me autorin
Përveç se fqinj me njëri-tjetrin, Report Tv mëson se viktima ishte nipi i shokut të autorit, Florian Vasiu, me të cilin së bashku rrëmbyen vajzën në 2006 dhe e kërcënonin se do e gjymtonin. Kjo shpjegon afrimitetin që kishin viktima dhe autori, në komunikimin e tyre të fundit që u kapën nga kamerat e sigurisë.

VIDEO-PROTESTA

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:01
Nëna e Mateos: E mbaja me bukë, pse më vrau fëmijën? Ta varin në mes të Fierit! E afërmja: Shteti të ofrojë asistencë psikologjike për familjarët

Familjarët e Mateo Vasiut, 8-vjeçarit të varë në Grecallicë të Fierit, kërkojnë drejtësi për të voglin e tyre. Me lot në sy, e wma thotë se ajo do të dijë arsyen pse Klodian Çalamani i vrau të birin në një kohë që familja e saj e ndihmonte dhe e mbante me bukë. Për të, drejtësia e vetme është varja e tij.

“Ta sjellin në mes të Fierit dhe ta varin, kjo është kërkesa ime dhe të më thotë pse me vrau fëmijën. I kam dhënë për të ngrenë, e kam ndihmuar”, tha nëna e Mateos.

Nga ana tjetër e afërmja  e 8-vjeçarit tha se shteti duhet të ofrojë asistencë psikologjike për familjarët dhe të marrin masa që kjo ngjarje makabre të mos arrijë më shumë.

“Qëllimi i protestës është që Institucionet të marrin masa për asistencë psikologjike për familjarët dhe kërkojmë drejtësi për sa i përket Mateos. Të flasë të më tregojë çdo detaj, po përjetojmë një dramë shumë të madhe. Ai të tregojë gjithçka si ka ndodhur dhe për çfarë arsye e ka bërë dhe institucionet të marrin masa për familjen që kjo makabër të mos arrijë më shumë. Ne do vazhdojmë deri në fund për drejtësi”, tha ajo.

Ora 11:18
Familjarët e 8-vjeçarit marshojnë drejt qytetit të Vlorës, ulen në mes të rrugës, bllokojnë bulevardin (VIDEO)

Pas protestës në ambientet e jashtme të burgut të Vlorës, po marshojnë drejt qytetit të Vlorës. Report Tv sjell pamje nga momenti kur familjarët e 8-vjeçarit bllokojnë bulevardin në zonën e Skelës, ndërsa nga pas shihen makinat e mbetura në trafik.  

Ora 10:29
Vlorë, familjarët e 8-vjeçarit gjuajnë me gurë drejt godinës së burgut! E ëma i merr radion policit dhe ia hedh në tokë (VIDEO)

Familjarët e Mateos që u vra në Fier nga Klodian Çalamani janë acaruar para burgut ku ndodhet i izoluar autori, ku kanë nisur të gjuajnë me gurë në drejtim të godinës, pasi ata nuk i lejonin të hynin brenda. Nëna e 8-vjeçari madje ka marrë radion e policisë që komunikon duke ia hedhur në tokë.