Dyshimet e grupit hetimor për vrasjen e Aleksandër Koçekut ditën e sotme janë se ngjarja ka ndodhur për hakmarrje, për ekzekutimin gjatë vitit të kaluar të 20-vjeçarit Pavlin Preka, në fshatin Guci e Re në Shkodër.
Ekzekutimi i 20-vjeçarit Pavlin Preka vitin e kaluar, dyshohet se u krye nga 43-vjeçari Vasel Koçeku (familjar i Aleksandrit, të ekzekutuar sot) dhe Klaudio Lisaj. Lisaj dyshohet se e nxori nga shtëpia Pavlinin, ndërsa Vasel Koçeku e qëlloi me armë zjarri, duke e lënë të vdekur në derë të shtëpisë.
Ngjarja dyshohet se ndodhi pasi 20-vjeçari Pavlin Preka kishte shprehur dëshirën për rrëmbimin e vajzës së mitur të Vasel Koçekut, me të cilën kishte pasur një lidhje intime.
Sipas hetimeve të kryera, vrasja dyshohet se kishte si motiv një konflikt të gjatë që lidhej me dëshirën e viktimës Pavlin Preka për t’u fejuar me vajzën e Vasel Koçekut, e cila aktualisht është 17 vjeçe.
Historia, sipas hetimeve, nis rreth 4 vite më parë, kur Pavlin Preka i kishte kërkuar dorën për fejesë familjes Koçeku. Në atë kohë, vajza ishte vetëm 13 vjeçe, ndërsa Preka 17 vjeç.
Kërkesa ishte refuzuar menjëherë nga babai i saj, Vasel Koçeku, duke i thënë se nuk kishte vajzë për të martuar, pasi ishte shumë e vogël dhe duhej të ndiqte shkollën.
Megjithatë, Pavlin Preka ka vijuar të shfaqë interes dhe këmbëngulje për vajzën, duke shprehur ndjenjat e tij edhe tek persona të tjerë, të cilëve u ishte shprehur se do t’ia rrëmbente vajzën Vasel Koçekut me qëllim krijimin e martesës me të.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Lajmi kryesor:
Vrasje me armë zjarri në Prekal të Shkodrës, viktima gjendet brenda një automjeti! Dyshohet se ngjarja lidhet me ekzekutimin e 20-vjeçarit Pavlin Preka në shkurt 2025 (EMRI)











