Autori i vrasjes së 48-vjeçarit Artur Cangu në Nikël të Fushë Krujës, Eduart Afmataj, dha dëshminë e parë përpara grupit hetimor, ku rrëfeu dinamikën e ngjarjes.
Burime bëjnë me dije se Eduart Afmataj deklaroi se, fillimisht mes tyre ka pasur një konflikt verbal, ku më pas, sipas autorit, Artur Cangu e ka goditur me një kosë të vogël në krah.
Pas kësaj, Eduard Afmataj ka deklaruar se, ka marrë çiften dhe e ka qëlluar 48-vjeçarin duke e lënë të vdekur. Menjëherë pas krimit të kryer, ky i fundit ka lajmëruar Policinë duke i treguar për krimin e kryer dhe më pas është larguar.
Afmataj u arrestua pa u mbushur 24 orë nga ngjarja në vendin e quajtur Bruz Mal në Malësi Krujë ndërsa ishte fshehur në këtë zonë të thellë. Sipas burimeve, në momentin e arrestimit Afmataj nuk ka bërë rezistencë ndaj forcave të Policisë ndërsa arma e krimit ende nuk është gjetur.
Referuar dinamikës së krimit, burime për Report Tv, bënë të ditur se sherri kishte nisur për parkimin e automjetit. 48-vjeçari Artur Cangu kishte shkuar për vizitë në shtëpinë e prindërve të tij në fshatin Vrion dhe kishte parkuar makinën në rrugë. Afmataj, i ka kërkuar ta lëvizë mjetin me pretendimin se i kishte zënë rrugën dhe pas debatit, dyshohet se ka marrë çiften duke e qëlluar për vdekje.
Komente










