STAMBOLL - Katër persona janë arrestuar si të dyshuarit kryesorë të vrasjes së biznesmenit turk Omer Satin më 20 dhjetor brenda makinës së tij. Policia turke ka hedhur poshtë pistën e Shqipërisë lidhur me konfliktet që ky biznesmen kishte pasur me ortakët e tij në vendin tonë për një rafineri nafte.

Pas hetimeve të bëra policia ka arrestuar biznesmenin turk që punonte në Hungari (mik i Satin), 2 shokët e tij si dhe njërin prej atentatorëve, të 4 këta kanë marrë përsipër vrasjen e 57-vjeçarit Satin, ndërkohë që vrasësi tjetër ka ikur pa lënë asnjë gjurmë në drejtim të paditur.

Gazeta turke Hyrijet shkruan se shkaku i vrasjes së biznesmenit është shuma prej 700 mijë eurosh, shumë të cilën Satinit ia dha një biznesmen në Hungari për të marrë një kredi në shtetin turk.

Sipas të njëjtit burim, Satin nuk e mori këtë kredi, ndërsa shumën e parave prej 700 mijë eurosh nuk ia ktheu mikut të tij. Biznesmeni në Hungari menaxhonte një restorant në Budapest.

Media turke shkruan se miku i tij u kthye nga Hungaria në Stamboll dhe nëpërmjet dy miqve të tij gjeti një pistoletë dhe dy vrasës me pagesë të cilëve do t’u jepte 70 mijë euro për të vrarë Omer Satinin.

Sipas gazetave turke policia ka verifikuar të gjitha telefonatat e biznesmenit që punonte në Hungari të bëra ditën e krimit.

Biznesmeni 54-vjeçar u gjet i qëlluar me disa plumba pistolete pranë një stacioni autobusi në lagjen Atakëj, në Stamboll. Ai kishte dalë nga shtëpia me pretendimin se do të takonte një shok turk, pronar i një lokali në Hungari. Por në Atakëj, ndërkohë që ai e kishte fikur makinën dhe po priste brenda saj, gjithmonë sipas gazetës turke "Hyrrijet", iu afrua një person i cili qëlloi mbi të 4 herë.

Redaksia Online

(Gre.M/Shqiptarja.com)