Policia e Lezhës ka gjetur makinën nga të cilët autorët qëlluan me breshëri plumbash drejt çiftit Mujeci. Sipas pamjeve të publikuara makina tip “Volkswagen Polo” e cila ishte marrë me qira në Rinas nga motra Florjan Mhillaj u gjet në e fshehur në banesën e 22-vjeçarit Besnik Kolndreu, i cili është shpallur në kërkim.
Ndaj tij rëndojnë veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”. Ndërkohë në gjendje të lirë do të hetohet babai i të riut për “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Gjatë kontrolleve në brendësi të mjetit janë gjetur dy gëzhoja model 56, ndërsa automjeti rezulton me xham të pasmë dhe pjesë anësore të dëmtuara. Në të njëjtin banesë është konstatuar edhe një automjet tjetër identik, por me targa të rregullta, në pronësi të 22-vjeçarit. Në oborrin e banesës u gjetën gjithashtu rrobat e përdorura nga autorët gjatë atentatit, si dhe një palë targa.
Njoftimi i policisë
Në vijim të veprimeve intensive hetimore dhe operacionale, që janë kryer dhe vijojnë të kryhen nga grupi i posaçëm hetimor, për sigurimin e provave, me qëllim dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes së ndodhur më datë 26.04.2026, në fshatin Balldren, Lezhë, ku u vranë me armë zjarri, shtetasit K. M. dhe G. M., bashkëshortë, mesditën e sotme, në fshatin Torovicë, në banesën e shtetasit B. K., shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar automjetin tip “Volkswagen Polo”, pa targa, të përdorur nga autorët.
Gjatë kontrollit në brendësi të automjetit, grupi hetimor gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale, 2 gëzhoja model 56, dhe nga këqyrja, rezultoi se automjeti ka të thyer xhamin e pasmë dhe trekëndëshat anësorë të dyerve.
Gjithashtu, në oborrin e banesës së shtetasit B. K., u gjet një automjet identik me automjetin e parë, në pronësi të shtetasit B. K., por me targa.
Më tej, gjatë kontrollit, u gjetën dhe veshjet e përdorura nga autorët, në momentin e kryerjes së krimit.
Nga veprimet hetimore rezultoi se shtetasi F. M. ka marrë automjetin tip “Volksëagen Polo” (të cilin motra e tij e kishte marrë me qira, në Rinas), i ka hequr targat dhe në bashkëpunim me njërin nga 2 shtetasit e shpallur në kërkim, e kanë përdorur për t’i prerë rrugën dhe për të qëlluar në drejtim të automjetit me të cilin lëviznin shtetasit K. M. dhe G. M.. Pas krimit, e ka çuar automjetin, në banesën e shtetasit B. K., dhe e ka fshehur duke e mbuluar me bar, me qëllim humbjen e gjurmëve, gjithashtu me pretendimin se automjetin e tij, shtetasi B. K. e kishte identik dhe të rregullt.
Në vijim të veprimeve, u shpall në kërkim shtetasi B. K., 22 vjeç, banues në fshatin Torovicë, për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori, për babanë e 22-vjeçarit, shtetasin N. K., 79 vjeç, banues në fshatin Torovicë, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Ndërkohë, shërbimet e Policisë vijojnë kërkimet në terren, për lokalizmin dhe kapjen e autorëve, si dhe të shtetasit të shpallur në kërkim mesditën e sotme.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Lezhës, për veprime të mëtejshme.
Lajmi kryesor:
Ekzekutimi i çiftit në Lezhë, makina e autorëve gjendet e fshehur në një banesë, u mor me qira në Rinas! Në kërkim bashkëpunëtori








