Renato Mhillaj ishte 13 vjeç kur i vranë të atin në fshatin Mali i Jushit, në Shkodër. Sot, 23-vjeçari është në kërkim, bashkë me dy djemtë e xhaxhait, Florinin (foto) dhe Adrianon, për vrasjen e Kreshnik dhe Gentjana Mujecit.

Ngjarja e rëndë, që nuk përligjet as nga kanuni pasi nuk vriten gratë, ndodhi mesditën e së dielës (26 prill 2026) në rrugën Balldren–Torovicë. Tre autorët i zunë pritë çiftit Mujeci me dy makina dhe qëlluan me breshëri, duke i lënë të vdekur në vend.

Gjakmarrja e ka zanafillën në tetor të vitit 2016, kur një konflikt i çastit degjeneroi në dhunë e më pas në vrasje. Asokohe, Genc Mhillaj, babai i Renatos, u konfliktua në Torovicë me vëllezërit Mujeci, pasi kishte zënë rrugën me kamionçinë. Gjatë sherrit, Mhillaj goditi me shpullë njërin prej tyre. Pak ditë më vonë, Mhillaj u ekzekutua, ndërsa policia arrestoi Kreshnik Mujecin, vëllanë e tij dhe kushëririn.

Në vitin 2018, Gjykata e Shkodrës i shpalli të gjithë të pafajshëm për mungesë provash. Gjithashtu, Apeli i Shkodrës në vitin 2019 vendosi të mos pranojë ankimin e prokurorisë. Kësisoj, ngjarja mbeti pa autorë.

Ndërsa në vitin 2024, Gjykata e Lartë e ka kthyer çështjen për gjykim në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm. Edhe pse drejtësia e liroi nga akuza 37-vjeçarin Kreshnik Mujeci, duket se familja Mhillaj ka pasur bindjen se ai ishte autori. Pistën e gjakmarrjes e bëri të ditur sot drejtori i Policisë së Lezhës.

“Nga dinamika e ngjarjes rezulton se automjeti tip ‘Audi A4’ ka mbajtur në vëzhgim lëvizjen e shtetasit Kreshnik Mujeci. Më pas, një automjet tjetër, tip ‘Volkswagen’, pa targa, dyshohet se i ka prerë rrugën automjetit me të cilin udhëtonte shtetasi Kreshnik Mujeci, së bashku me bashkëshorten e tij, dhe shtetasit që ndodheshin në automjet kanë qëlluar me breshëri armësh në drejtim të tij.”

Burimet thanë se “Audi” është në pronësi të vëllait të Adriano Mhillajt. Ky i fundit hetohej për një tjetër ngjarje në Shkodër dhe, në bisedat e përgjuara me kushërinjtë, fliste për organizimin e atentatit.

Pas vrasjes së dyfishtë, autorët e dyshuar, Adriano Mhillaj 22 vjeç, Florin Mhillaj 36 vjeç dhe Renato Mhillaj 23 vjeç, janë larguar në drejtim të Torovicës, ndërsa forca të shumta policie janë angazhuar për kapjen e tyre.

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:05
Dalin fotot e 2 prej autorëve të vrasjes së çiftit Mujeci në Balldren, vepruan brenda 1 minute, pa maska dhe me gjakftohtësi

1777287522_florindherenatomhillaj.jpg

Florin dhe Renato Mhillaj

Report Tv ka siguruar fotot e Florin dhe Renato Mhillajt, 2 prej personave të dyshuar si autorë të vrasjes së çiftit Kreshnik dhe Gentjana Mujeci. I dyshuari i tretë është Adriano Mhillaj, të gjithë të shpallur në kërkim. Dyshohet se vrasja ka ndodhur për motive hakmarrje.

Sipas burimeve dhe pamjeve të kamerave të sigurisë, e gjithë ngjarja ka zgjatur pak më shumë se një minutë. Autorët, të cilët nuk mbanin maska, kanë vepruar me gjakftohtësi të plotë gjatë ekzekutimit.

Ora 12:04
Dalin emrat e 3 ekzekutorëve të çiftit Mujeci në Balldren, i biri mori hakun e të atit 10 vite më vonë

1777210273_gencmhillaj.jpg

Genc Mhillaj

Adriano Mhillaj 22 vjeç, Renato Mhillaj 23 vjeç dhe Florin Mhillaj 36 vjeç janë 3 personat e identifikuar nga policia, të dyshuar si autorë të vrasjes së Kreshnik dhe Gentjana Mujecit dje në fshatin Balldren.

Renato Mhillaj është djali i Genc Mhillajt ndërsa Adriano dhe Florin janë dy nipat e tij. Genc Mhillaj është vrarë në vitin 2016 ndërsa si autor është akuzuar Kreshnik Mujeci së bashku me kushëririn e tij Jozef Mujeci.