Disa kohë pas vrasjes së Gazmend Çollakut, ekspertiza ka arritur në konkluzionin se gjurmët e gjakut të gjetura në këmishën e viktimës nuk janë të Denis Shtrazës.
 
Burime pranë grupit të ekspertëve, bëjnë me dije se ky fakt është mësuar pas kryerjes së analizave të AND-së së gjakut të gjetur nga ku rezulon se gjaku i Shtrazës nuk korespondon me të dhënat e gjakut të gjetur.
 
Krahasimi i të dhënave të gjakut me gjurmët e gjetura është bërë pas kërkesës së policisë së Durrësit, për të vërtetuar nëse gjurmët janë të njëjta.
 
Kush është Shtraza
33-vjeçari me banim në Durrës është një emër jo i panjohur për Policinë e Shtetit. Burime zyrtare nga Policia e Durrësit kanë bërë me dije se Denis Shtraza është i dyshuar si autor i rrëmbimit dhe vrasjes së Çollakut për motive ende të panjohura. Për policinë, ai është një person me tendenca të theksuara kriminale, si dhe me precedentë penale në fushën e veprave penale kundër jetës dhe i dyshuar si anëtar i një grupi kriminal që operon në zonën e Durrësit dhe të Tiranës.
 
Ai u plagos në një atentat të ndodhur më 5 Shkurt të vitit 2013, pranë Fabrikës së Cigareve në Durrës. Bashkë me të gjendej edhe Elvis Tafaruçi, i cili u vra në muajin maj të vitit 2013 pranë Shkëmbit të Kavajës.
 
Në vitin 2009, Shtraza qe ekstraduar nga Gjermania si autor i dyshuar i dy plagosjeve të rënda, nga gjykimi i të cilave u shpall fajtor, por doli me dënime të lehta që konsistonin në gjobë dhe 4 muaj burg.

Ndaj 33-vjeçarit rëndojnë akuzat “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit” dhe “Vrasje e kryer në bashkëpunim”.

Ngjarja, Çollaku u rrëmbye më 6 janar në qytetin e Durrësit 
40-vjeçari Gazmend Çollaku, u rrëmbye më 6 janar në qytetin e Durrësit dhe një ditë më pas është  gjetur i vdekur dhe i lidhur me këmbë e duar në afërsi të fshatit Murqin të Krujës. Viktima ishte qëlluar me armë në kokë dhe fillimisht mendohet se ekzekutimi i tij ka lidhje me vrasjen e dy të rinjve, Ervin Kodra dhe Endri Caushaj, ngjarje e ndodhur në muajin dhjetor pranë hyrjes së Portit të Durrësit. Çollaku u mor peng nga 4 persona të veshur me uniforma policie dhe dëshmitarët në vendngjarje menduan se bëhej fjalë për një shoqërim të tij. Më parë në 2 mars të 2008-ës, pas një sherri banal mes të rinjsh në disko “Riviera” në lagjen numër 1 të Durrësit, Gazment Çollaku plagosi rënë me armë zjarri Kreshnik Ballën.

Ai u kap pas disa muajsh arratie në një apartament në plazhin e Golemit. Për këtë vepër penale si dhe për mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve, Gjykata e Durrësit e dënoi në shkurt të vitit 2009 me 2 vite e 4 muaj burgim.

  
Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)