TIRANE- Flamur Ymeri, biznesmeni që njihet dhe si “Flamur Topalli” është shfaqur kontradiktor në dy dëshmitë e dhëna para grupit hetimor, lidhur me dinamikën e vrasjes së dy të rinjve Adnand Luli dhe Ervin Shaba. Biznesmeni që ushtronte aktivitetin e ndërtimit dhe dhënies së huave financiare për persona të ndryshëm, ka treguar fillimisht se i ka rrëmbyer armën njërit prej autorëve dhe ka qëlluar mbi ta.

Ndërkohë pas daljes në skenë të një plumbi, që vërtetonte se krimi ishte kryer me një tjetër armë, e cila për momentin nuk është gjetur, ka bërë që Flamur Ymeri në seancën e dytë të pyetjes, ka pranuar se ai i kishte qëlluar dy viktimat me armën që kishte me vete.

Sipas dëshmisë së tij, armën ai e mbante pa leje në banesë, për shkak të konflikteve të hapura që kishte me disa huamarrës, por edhe pasi disa muaj më parë Ymeri është qëlluar me armë, nga një komshiu i tij, të cilit i ka dhënë mijëra euro borxh. Mirëpo pavarësisht se biznesmeni ka pranuar autorësinë e armës së tretë, ai nuk ka treguar vendin se ku e ka fshehur atë. Ymeri është shprehur se e ka lënë në vendin e krimit, por në fakt arma e tretë ende nuk është zbuluar.