BERAT- Pas arrestimit disa ditë më parë të Kudret Zhukës, i cili akuzohet për dy vrasje në Berat në 1997, janë shpallur në kërkim edhe dy bashkëpunërorët e tij. Pas një pune hetimore 2 mujore policia e Beratit në bashkëpunim me prokurorinë bënë të mundur zbulimin e bashkëpunëtorëve të tjerë të bandës së “Vakëfit” në Berat. Ata janë Beniamin Hajro 50 vjeç dhe Gazmend Hoxha 41 vjeç, të dy të shpallur në kërkim, ndërsa Kastriot Frashëri 45 vjeç, ndodhet akualisht në burgun e Peqinit, i dënuar me 12 vjet për shfrytëzim femrash për prostitucion në Itali. Për këta tre shtetas, gjykata e Beratit ka nxjerë sot vendimin e “arrestit me burg” në mungesë, si bashkëpunëtorë me Kundret Zhukën, në masakrimin dhe më pas vrasjen me armë zjarri të shtetasve Eduart Pema 25 vjeç dhe Arjan Avdullaj, 18 vjeç.

Ndërkaq, vijon puna nga sektori i Krimeve të Rënda në bashkëpunim me Prokurorinë për dokumentimin e krimeve të tjera që janë bërë nga kjo bandë, si dhe po bashkëpunohet me Interpolin për kapjen e dy anëtarëve të bandës, të shpallur në kërkim. Sipas policisë më 2 qershor 1997, Kudret Zhuka dhe disa shokë të tij, kanë rrëmbyer Eduard Pemën nën kërcënimin e armëve në shenjë hakmarrje për vrasjen e një të afërmi të tyre.

Pema u mbajt i lidhur me tela me gjemba dhe u torturua në periferi të qytetit. Pak orë më pas, në të njëjtin ambient, është dërguar nën kërcënimin e armës edhe Arjan Avdullai, po i torturuar. Një ditë më pas janë tërhequr zvarrë pas një automjeti, i cili dyshohet se është i njëjti me të cilin janë rrëmbyer. Ngjarja ka pasur shumë dëshmitarë, por trazirat penguan denoncimin dhe hetimet. Në lagjen “Vakëf” u ka vënë flakën. Njëri prej viktimave ka qenë gjallë dhe nga dhimbjet është ngritur, por Zhuka e ka qëlluar me automatik, duke e vrarë.

Shkrimi u publikua sot (14.12.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)