Adriano Mhillaj, 22 vjeç, i shpallur në kërkim si i dyshuar për vrasjen e dyfishtë në Balldren, rezulton se ishte në kërkim që prej 16 janarit 2026 edhe nga Policia e Shkodrës për veprat penale “kanosje me armë” dhe “mbajtje pa leje të armëve”.

Ngjarja e mëparshme ka ndodhur në zonën e njohur si “Kryqëzimi i Vinotekës” në Shkodër, ku pas një konflikti, Mhillaj dyshohet se ka kanosur me armë shtetasin Eduard Kësalla. Ky i fundit, sipas hetimeve, është kundërpërgjigjur duke qëlluar me armë zjarri dhe më pas është shpallur në kërkim për “vrasje në tentativë” dhe armëmbajtje pa leje.

Kësalla u arrestua rreth tre javë më parë në zonën e Freskut, në Tiranë, gjatë një operacioni policor të koduar “Operacionalja 89”. Adriano Mhillaj vijon të jetë ende në arrati për këtë ngjarje, si edhe shpallur në kërkim edhe nga Policia e Lezhës për ekzekutimin e çiftit Mujeci.

Sipas burimeve hetimore, dyshohet se automjeti tip “Audi A4”, i përdorur në atentatin ndaj çiftit Mujeci në Balldren, është i njëjti që është përdorur edhe në përplasjen me armë të ndodhur më 16 janar 2026 mes Mhillajt dhe Kësallës.

Çifti Kreshnik dhe Gentjana Mujeci u ekzekutuan me breshëri plumbash pasditen e 26 prillit n rrugën Balldren-Torovicë. Përveç Adrianos, në kërkim të dyshuar si autorë janë dhe Renato Mhillaj dhe Florin Mhillaj, kushërinj me njëri-tjetrin. Ngjarja ndodhi për hakmarrje pasi Kreshnik Mujeci është akuzuar në vitin 2016 për vrasjen e Genc Mhillajt, babai i Renato Mhillajt.

Gjakmarrja e ka zanafillën në tetor të vitit 2016, kur një konflikt i çastit degjeneroi në dhunë e më pas në vrasje. Asokohe, Genc Mhillaj, babai i Renatos, u konfliktua në Torovicë me vëllezërit Mujeci, pasi kishte zënë rrugën me kamionçinë. Gjatë sherrit, Mhillaj goditi me shpullë njërin prej tyre. Pak ditë më vonë, Mhillaj u ekzekutua, ndërsa policia arrestoi Kreshnik Mujecin, vëllanë e tij dhe kushëririn.

Në vitin 2018, Gjykata e Shkodrës i shpalli të gjithë të pafajshëm për mungesë provash. Gjithashtu, Apeli i Shkodrës në vitin 2019 vendosi të mos pranojë ankimin e prokurorisë. Kësisoj, ngjarja mbeti pa autorë. Ndërsa në vitin 2024, Gjykata e Lartë e ka kthyer çështjen për gjykim në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm.

Në videon më poshtë është momenti i arrestimit të Kreshnik Mujecit në vitin 2017

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë

K.B/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 25 Prill, 21:24

    A duhet që seancat në GJKKO të transmetohen live për publikun?