Vrasja e dyfishtë në Velipojë, Gjykata lë në qeli dy punëtorët e arrestuar, në arrati 2 vëllezërit pronarë të hotel 'Holiday'! Kamerieri: E pashë kush qëlloi

Shkodër- Gjykata e Shkodrës lë në qeli dy të arrestuarit e dyshuar për vrasjen e dyfishtë të ndodhur në bregdetin e Velipojës, pas një sherri të nisur në muajin qershor dhe të përfunduar me viktima mbrëmjen e 19 Gushtit.

Pas një seance me dyer të mbyllura dhe pas dëgjimit të palëve, Prokurorisë dhe avokatit, Gjykata dha masën “arrest me burg” për Zyber Zagrad, 26 vjeç dhe Marjo Pali, 29 vjeç.

Ata akuzohen si bashkëpunëtorë me dy vëllezërit pronarë të hotelit “Holiday”, të kërkuarit Gëzim dhe Edmir Frroku, që akuzohen se vranë kunetërit Arsid Hoxha dhe Ersild Ishmi. Sherri kishte nisur prej datës 28 Qershor të këtij viti, me plagosjen e një prej kamerierëve të hotelit dhe palët po pretendonin sqarimin, pas një lirimi të dyshuar nga drejtësia të të dyshuarve për atë ngjarje.

Avokati mbrojtës, Simon Pashku, kërkoi masën e sigurisë “arrest shtëpie” dhe vleftësimin e paligjshëm të ndalimit të tyre, ndërsa prokurori Albert Murçaj kërkoi masën e sigurisë “arrest me burg”, të cilën gjyqtarja Arta Llazari e pranoi.

Sipas hetimeve të deritanishme të Prokurorisë, rezulton se Zyber Zagradi është kamerieri i plagosur dhe Mario Pali, personi tjetër i përfshirë në ngjarje si bashkëpunëtor në krimin e dyfishtë.

Gjatë seancës së sigurisë mësohet se Zagradi dhe Pali deklaruan në sallën e gjyqit se “ata kanë ardhur në momentin pasi kishte nisur konflikti mes vëllezërve Frroku dhe dy viktimave Ersild Ishmi dhe Arsid Hoxha”.

Gjithashtu ata shtuan se kanë parë shtetasin Edmir Frroku duke qëlluar, ndërsa u shprehën se nuk e kanë pasur idenë se si ka nisur konflikti mes tyre.

Gëzim dhe Edmir Frroku, të kërkuar për vrasjen e dyfishtë

Kamarieri Zyber Zagradi deklaroi se nuk e ka idenë se si ka mbetur i plagosur.

“Nuk e di si u plagosa, vetëm kur pashë këmbën me gjak dhe plagën e shkaktuar nga plumbi që kisha marrë pasi u largova meta më tej”, tha ai.

Dhe për ta larguar me makinë drejt banesës së motrës së vëllezërve Frroku e ka ndihmuar pikërisht i dyshuari Pali. Dyshohet se Zagradi dhe Pali ndihmuan vëllezërit Edmir dhe Gëzim Frroku të largohen nga vendngjarja.

Çfarë dëshmoi kamerieri pas krimit të dyfishtë

“Shqiptarja.com” zbardhi edhe dëshminë e kamerierit të hotel “Holiday’, pas vrasjes së dyfishtë në plazhin e Velipojës, ku dy vëllezërit Edmir dhe Gëzim Frroku, vranë Ersild Ishmin, 33 vjeç dhe Arsid Hoxhën, 22 vjeç, kunetër mes tyre.

“Fillimisht personat janë konfliktuar me sende të forta dhe më pas dy vëllezërit Frroku kanë marrë armën e kanë qëlluar në drejtim të Ersild Ishmit dhe Arsid Hoxhës”, ka dëshmuar Zyber Zagrad, banues në Dibër, që sot u la në burg nga gjykata. Vetë ai mbeti i plagosur në këmbë nga ky konflikt.

Kamerieri ka pohuar se ka pasur konflikt në datën 28 qershor, ku ka qenë i përfshirë Ersild Ishmi.  

Çfarë dimë nga vrasja e dyfishtë?

Ngjarja e rëndë ka zanafillën tek një konflikt  i ndodhur mesditën e 28 qershorit 2024, në hotelin e dy vëllezërve, Edmir dhe Gëzim Frroku, ku Ersid Ishmi kishte shkuar për të drekuar. Kamerieri në restorant, kushëri me Ishmin, ka debatuar me kuzhinierin pasi është vonuar porosia.

Arsid Hoxha dhe Ersild Ishmi, dy kunetërit që mbetën viktima

Në këtë debat ka ndërhyrë 33-vjeçari Ishmi, i cili ka nxjerrë pistoletën në restorantin e familjes Frroku dhe ka kërcënuar me jetë kuzhinierin. Ishmi u arrestua në Vaun e Dejës, më 14 korrik dhe gjykata e Shkodrës e la në masë sigurie “arrest shtëpie”.

Mbrëmjen e 19 gushtit, Ishmi theu masën e sigurisë, mori me vete kunatin Arsid Hoxhën dhe shkuan tek hoteli për të sqaruar konfliktin që kishin lënë përgjysmë. Rreth orës 21:00 ka pasur konflikt mes dy vëllezërve Frroku dhe dy kunetërve përpara hotelit.

Dy vëllezërit kanë qëlluar me armë duke lënë të plagosur rëndë dy kunetërit Hoxha dhe Ishmi, të cilët gjetën vdekjen sapo hynë në sallën e operacionit në spitalin e Shkodrës. Ersild Ishmi është goditur nga 3 plumba në gjoks e bark, ndërsa Hoxha është goditur nga 2 plumba, po në gjoks e në bark.

Zef Frroku, xhaxhai i dy vëllezërve që vranë dy të rinjtë dje në Velipojë, në një deklaratë për media, tha se sipas tij fajin e ka Prokuroria dhe Gjykata që ka liruar një nga viktimat, Ersild Ishmin.

Vrasja e dyfishtë në Velipojë, 19 gusht 2024:
-Viktima: Ersild Ishmi, 33 vjeç dhe Arsid Hoxha, 22 vjeç (burri i motrës i Ersildit) 
-I plagosur: Zyber Zagrad, 26 vjeç kamarier në hotelin "Holiday" në plazhin e Velipojës, banues në Dibër
-Në kërkim: Edmir Frroku dhe Gëzim Frroku. Dy vëllezër, pronarë të hotel Holiday në Velipojë
-Arrestohet Zyber Zagrad, kamarieri dhe Marjo Pali, banues në Shkodër punëtor i hotelit

 

A.Q/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?